Avokati i 34-vjeçarit, Isuf Shehu: Të shtrohet në spitalin psikiatrik, ka probleme të shëndetit mendor

Avokati i 34-vjeçarit Rudolf Nikolli, i cili dy javë më parë hyri me thikë në dorë dhe plagosi 5 persona tek xhamia Dine Hoxha në kryeqytet, kërkon që klienti i tij të lirohet nga qelia.

Isuf Shehu i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Apelit për të liruar nga burgu autorin e plagosjes së besimtarëve në xhami. Ai kërkon që Nikolli të shtrohet në spital psikiatrik, për shkak të problemeve me shëndetin mendor. Shehu kërkon që Nikolli të ekzaminohet nga mjekët psikiatër për të përcaktuar diagnozën e tij. Sipas palës mbrojtëse problemet e shëndetit mendor i kanë shkaktuar atij dhe depresion.

34-vjeçari u la në arrest me burg nga gjykata me kërkesë të prokurorisë 3 ditë pas arrestimit me argumentimin se ka kryer akte me qëllime terroriste. Nga ana e palës mbrojtëse pretendohet që nuk kemi të bëjmë me veprime terroriste, por të shkaktuara nga çrregullimet e shëndetit mendor.

Lidhur me veprimet e 34-vjeçarit, edhe familjarët e tij u shprehën se nuk kemi të bëjmë me radikalizëm por me problemet e shëndetit mendor, që ai i ka shfaqur prej 6 muajsh dhe nuk kurohej. Sulmi në xhaminë tek rruga e Kavajës u regjistrua me 19 Prill, kur disa besimtarë ndodheshin duke kryer ritet fetare.

Sapo parkoi biçikletën, i riu u fut në xhami ku u përlesh me disa qytetarë, ndërsa në dalje plagosi dhe të tjerë. Agresori fillimisht u neutralizua nga kalimtarët të cilët e mbajtën Nikollin deri sa mbërriti policia.

Klan News