Avokati i 34-vjeçarit Rudolf Nikolli, i cili dy javë më parë hyri me thikë në dorë në xhaminë e Rrugës së Kavajës në kryeqytet dhe plagosi 5 persona, kërkon që klienti i tij të lirohet nga qelia.

Isuf Shehu i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Apelit, ku kërkon që 34-vjeçari të shtrohet në spital psikiatrik, për shkak të problemeve me shëndetin mendor.

Shehu kërkon gjithashtu që Nikolli të ekzaminohet nga mjekët psikiatër për të përcaktuar diagnozën e tij. Sipas palës mbrojtëse problemet e shëndetit mendor i kanë shkaktuar atij depresion.

34-vjeçari u la në arrest me burg nga gjykata me kërkesë të prokurorisë 3 ditë pas arrestimit me argumentimin se ka kryer akte me qëllime terroriste. Nga ana e palës mbrojtëse pretendohet që nuk kemi të bëjmë me veprime terroriste, por të shkaktuara nga çrregullimet e shëndetit mendor.

Lidhur me veprimet e 34-vjeçarit, edhe familjarët e tij u shprehën se nuk kemi të bëjmë me radikalizëm, por me probleme mendore, që ai i ka shfaqur prej 6 muajsh dhe për të cilat kurohej.

Sulmi në xhaminë tek Rruga e Kavajës u regjistrua me 19 Prill, kur disa besimtarë ndodheshin duke kryer ritet fetare. Sapo parkoi biçikletën, i riu u fut në xhami ku u përlesh me disa qytetarë, ndërsa në dalje sulmoi dhe la të plagosur edhe disa të tjerë.

Agresori fillimisht u neutralizua nga kalimtarët  të cilët e mbajtën Nikollin deri sa mbërriti policia.

Tv Klan