Stephan Morgenstem akuzohet për mashtrim në vlerën e 28 milion eurove
61 vjeçari gjerman Stephan Morgenstem, do të qëndrojë në qeli me qëllim ekstradimin e tij drejt Koresë së Jugut. Gjykata Penale e Tiranës i ka caktuar masës e sigurisë “arrest në burg” të njëjten kërkesë që kishte bërë edhe Prokuroria e Tiranës. Ai akuzohet nga Korea e Jugut për mashtrim.
Përmes avokatit të tij, Maks Haxhia, shtetasi gjerman ka kërkuar masë më të butë sigurie siç është ajo e garancisë pasurore në vlerën e 2 milon lekëve. Po ashtu avokati ka theksuar faktin që me Korenë e Jugut ne nuk kemi marrëveshje ekstradimesh. Haxhia ka pretenduar se në dosjen koreane ka edhe shtetas të tjerë të dyshuar por që asnjëri prej tyre nuk është arrestuar.
61 vjeçari gjerman Stephan Morgenstem u arrestua pak ditë më parë në Rinas teksa ishte duke pritur bashkëshorten e tij të vinte nga Dubai.
Më 24 Tetor të vitit të kaluar, për të ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” për “Mashtrimi në rrethana rënduese”, parashikuar nga Kodi Penal i Koresë së Jugut.
Sipas burimeve ai kishte ardhur në vendin tonë rreth 3 muaj më parë. 61 vjeçari kishte në banesë në periferi të Tiranës në emër të bashkëshortes.
Ai akuzohet se në bashkëpunim me disa persona të tjerë ka ndërtuar një skemë piramidale në nivele ndërkombëtare, e cila supozohej se shpërblente investitorët, për blerjen e paketave të reklamave dhe rishitjen e tyre tek përdoruesit e rinj.
Sipas të dhënave, gjatë periudhës 27 Mars 2016 deri më 7 Nëntor 2020, ata kanë mashtruar mbi 2 mijë persona me një dëm në vlerë monetare prej 28 milionë eurosh.
Klan News