Vetëm një vit më parë Adelina Trimi, nëna e 23-vjeçari i cili u vra barbarisht në 2016 pas një sherri në një lokal në Korçë, denonconte në Stop padrejtësinë që sipas saj ishte bërë me rastin e të birit. Teksa përcolli pamjet e sherrit që i mori jetën Marsel Osmanit, Adelina denoncoi faktin se në këtë ngjarje ishin të përfshirë 4 persona, dy prej të cilëve, Angel Milçani dhe Genci Rustemi, ishin lënë të lirë.

Në Stop, ajo akuzonte prokuroren e çështjes se nuk kishte marrë parasysh pamjet e kamerave që ajo vetë dispononte. Por duket se, ndonëse me vonesë, drejtësia për këtë ngjarje po vihet në vend. Kjo pasi këtë të premte, policia e Korçës njoftoi arrestimin e 33-vjeçarit Angel Milçanit, si bashkëpunëtor në vrasjen e Marselit.

Për ngjarjen në fjalë, e cila ndodhi mesnatën e 29 Gushtit të vitit 2016, në pranga janë vënë Olsi Zyberi, pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja dhe truproja i tij Llazar Dine.

Teksa përcolli rastin e zonjës Adelina, Stop rindërtoi edhe skenën e krimit, të ndodhur në një lokal tallavaje në afërsi të fshatit Dishnicë.

Rreth orës 01:00 të natës viktima, Marsel Osmani, duket në pamje duke kërcyer brenda në lokal. Deri në këto momente situata është normale.

Sipas dëshmitarëve okularë në vendngjarje, nga mesnata Osmanit i mbarojnë lekët dhe ai fillon acarohet nën efektin e alkoolit, ku dyshohet edhe përdorimi i lëndëve narkotike. Rreth orës 01:12, Marseli shihet i tensionuar duke biseduar me shokët e tij në oborrin e tallavasë.

Shkak për sherrin, i cili degradoi në vrasjen e të riut, u bë një femër. Në orën 02:50 sherri nis mes Marsel Osmanit dhe pronarit të lokalit tallava, Olsi Zyberi.

Sherri zhvendoset në oborrin dhe parkingun e tallavasë. Pesë persona përfshihen në sherr. Marsel Osmani, viktima; Olsi Zyberi, i cili identifikohet nga kanotjerja e nxjerrë pas kurrizit; Angel Milçani identifikohet nga xhupi i errët me kapuç të bardhe dhe me levë në dorë, trup mesatar; Llazar Dine, identifikohet me rroba të bardha, dru në dorë dhe Genci Rustemi, i cili identifikohet me rroba të bardha dhe trup mesatar.

02:49-Nis sherri me grushte mes 5 personave. Këtu fiksohet nga kamerat Angel Milçani që godet me grushte.

02:50-Viktima goditet me grushte nga pronari i tallavasë, Olsi Zyberi.

02:53-Sherri zhvendoset në cepin e oborrit të tallavasë, ku edhe pamjet bëhen më të paqarta nga errësira. Katër autorët shkojnë drejt viktimës për ta goditur.

02:53-Angel Milçani vrapon drejt makinës, hap derën e parë të pasagjerit dhe nxjerr një levë. Sherri është spostuar në rrugë.

02:54-Badigardi Llazar Dine merr një dru dhe shkon drejt rrugës ku vazhdon sherri me viktimën.

02:56-Angel Milçani kërkon të marrë makinën. Levën e ka në dorë, por ndalohet nga 2 vajza.

02:57-Angel Milçani ndez makinën. Fiksohet edhe Llazar Dine që futet në makinë dhe shkojnë drejt Marselit, i cili ndodhet në rrugë.

02:58-Furgoni i bardhë shkon drejt Marselit. Shokët e tij kanë njoftuar shoferin të vijë sepse Marseli ndodhet pa ndjenja, mbuluar në gjak, i hedhur në kanal. 

02:59-Njerëzit shikojnë nga rruga sepse dëgjojnë të bërtiturat e shokëve të Marselit.

02:59-Shikohet edhe makina e Angel Milçanit ku fillimisht ishte vetëm Llazar Dine, por tani nga makina zbresin 4 persona; Angel Milçani, Llazar Dine, Olsi Zyberi dhe Genci Rustemi, të cilët e dinë se si u vra dhe nga kush u qëllua me mjete të forta Marsel Osmani.

Në një intervistë nga burgu me gazetarin e Stop, pronari i lokalit tallava, Olsi Zyberi, pohonte se Marsel Osmani është goditur me levë në kokë nga Angel Milçani dhe me dru nga Llazar Dine…/tvklan.al