“Kërkoi të bëjë vallëzimin e fundit”, mbahen homazhet për Lili Cingun


“Kërkoi të bëjë vallëzimin e fundit”, mbahen homazhet për Lili Cingun

12:26 06/02/2024

Zhvillohen këtë të martë në Teatrin e Operas dhe Baletit homazhet në nder të Lili Cingut, valltares së shquar të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, e cila u shua në moshën 74-vjeçare.

Gazetarja Anisa Krraba ka raportuar rrëfimet e njerëzve të afërt dhe kolegëve të saj.


“Më lejo ta nis, me rrëfimin e nipit të saj i cili padyshim ishte shumë i prekur nga kjo humbje dhe nuk e konsideronte familjare, por si miken më të mirë të jetës së tij. Në momentet e fundit Lili ka kërkuar që të bëjë vallëzimin e saj të fundit, të kërcejë. Gjithmonë ka qenë edhe kjo këshilla që i ka dhënë edhe familjarëve dhe miqve që jeta është e bukur gjithmonë kur kërcehet. Edhe kolegë të Lilit e quajnë veten me fat që kanë bashkëpunuar me të. Ata e kanë treguar atë jo vetëm profesioniste, por edhe si njeri shembullor dhe i dashur për të tjerët edhe pas kuintave”, raportoi gazetarja.

“Mbretëresha” e valles popullore vuante nga një sëmundje e rëndë prej kohësh, ndërsa ditët e fundit shëndeti i saj ishte përkeqësuar dhe ndodhej në gjendje të rëndë në spital.

Lili Cingu për kontributin e dhënë është nderuar me disa tituj si Mjeshtre e Madhe dhe Nderi i Kombit, ndërsa kolegë e interpretues e kanë cilësuar si “Mbretëreshën e Valles Shqiptare”.

Lili Cingu i mbylli sytë në Shqipëri, në vendin ku ajo ka falur dhe ka lënë gjithë mjeshtërinë e saj.

Ajo e ndante jetën mes Shqipërisë dhe Kanadasë./tvklan.al









Të ngjashme