Kompania Kosovare për Furnizimin e Energjisë Elektrike (KESCO) do të paguajë një masë administrative prej 25 mijë euro tek Agjencia për Informim dhe Privatësi.

Arsyeja e këtij dënimi vjen pas ankimit nga Partia Socialdemokrate se KESCO ka dërguar faturat e energjisë elektrike pa zarf tek abonentët, duke dëmtuar kështu privatësinë.

Ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi, i cili përmes një postimi në “Facebook”, njofton gjobitjen e KESCO-s.

Ai e ka konsideruar gjobën prej 25 mijë euro të ulët, por sakaq shkruan se mbetet për t’u parë nëse kompania do të bëjë sërish veprimin e njëjtë të dërgimit të faturave pa zarfa.

Postimi i plotë i Nol Nushit:

25.000€ gjobe per KESCO

Ditë e mirë me ju tregu qe ankesa jonë ka pasë efekt. Në muaji mars bashkë me shumë nga ju që më keni dërgu fotografi kam bërë ankesë ndaj shkeljes së ligjit nga KESCO qe na sillte faturat pa zarfa.

Ankesa kishin bërë edhe qytetarë të tjerë para nesh. Agjensia për Informim dhe Privatësi më njoftoi që kanë dënuar KESCOn me 25.000€ gjobë.

Kjo është gjoba e dytë dhe konsideroj që është e ulët sepse kane pasur kohe më shumë se 6 muaj të mos e përsërisin shkeljen.

Ta shohim a po e përsërisin.

/tvklan.al