Kompania e prodhimit të energjisë, KESH ka mbyllur vitin financiar 2018-ë me 100 milionë Dollarë fitime, duke dalë më mirë në bilancet e saj edhe se kompania tjetër e këtij sektori, OSHEE.

Të ardhurat kryesore të Korporatës Elektroenergjetike kanë ardhur nga rritja e sasisë së prodhimit të energjisë për vitin që u mbyll krahasuar me 2017-n.

Në fund të 2018-ës prodhimi arriti në 5815 gigavat/orë energji elektrike, një rritje vjetore në nivelin 60%.

Vetëm nga shitja e energjisë, KESH arriti të sigurojë 183 milionë Dollarë, mes të cilave një pjesë kanë shkuar për kryerjen e investimeve dhe një pjesë tjetër për shlyerjen e detyrimeve që korporata ka patur në vite.

Korporata raporton se ka shlyer të gjitha detyrimet korrente ndaj autoriteteve fiskale dhe 14.5 milionë Dollarë detyrime që ka patur në vite ndaj tatimeve.

Kjo është hera e parë gjatë viteve të fundit që KESH ka arritur një rezultat të tillë financiar. Në 2017-n korporata rezultoi me një humbje në nivelin e gjysmë milioni Dollarësh për shkak të rënies së prodhimit në muajt e verës.

Tv Klan