Lajme Arkiva – TV Klan 2002

Askush që nuk paguan energji elektrike në Durrës, nuk do të ketë drita për Vitin e Ri. Përkundrazi konsumatorët e rregullt do të kenë energji pa kufizime gjatë ditëve të festave.

Sipas drejtorit të zonës energjetike të Durrësit, Vladimir Vrahoriti, ky qytet do të furnizohet pa kufizim me energji, vetëm në datat 30-31 Dhjetor dhe në datën 1 Janar, por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë ndërprerje të energjisë, pasi furnizimi normal, mund të varet nga defekte të ndryshme në rrjet.  

Për këtë qëllim, të gjithë punonjësit e nënstacioneve, janë në gatishmëri, për t’ju përgjigjur rasteve urgjente dhe sipas drejtorit Vrahoriti, në rastin më të mirë, energjia do të mungojë deri në një orë në ditë. Sipas të dhënave zyrtare, furnizimi me energji në Durrës është më i mirë atje ku niveli i arkëtimeve është më i lartë, kryesisht në qendër, ndërsa në periferi ndërprerjet variojnë deri në 12 orë në ditë.

Sipas një bilanci paraprak për vitin 2002, paguesit më të rregullt të energjisë në qytetin e Durrësit kanë qenë biznesmenët të cilët kanë shlyer në masën 98% faturat e energjisë elektrike./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço