Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Shqiptarëve nuk do t’ju mungojnë dritat natën e ndërrimit të viteve dhe ky është një lajm i konfirmuar nga KESH. Luigj Pjetri, drejtor i divizionit të prodhimit në KESH ka deklaruar, se gjatë festave të fundvitit nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike.

Luigj Pjetri:- “KESH ka marrë të gjitha masat, që për festat e fundvitit, festën e Vitit të Ri, të ketë një gatishmëri të lartë në të gjithë sistemin elektroenergjetik. Të gjithë punonjësit e sistemit, janë në gatishmëri të plotë, për rritjen e shkallës së furnizimit me energji elektrike të të gjithë konsumatorëve të vendit”.

Pjetri ka deklaruar se dritat nuk do t’ju mungojnë as atyre qyteteve të cilat paguajnë në një përqindje të ulët faturat e energjisë së konsumuar.

Luigj Pjetri:- “Natën e Vitit të Ri nuk do të shikojmë diferencime”.

Megjithatë, sipas tij duhet të tregohet kujdes në përdorimin e energjisë gjatë ditës së festave në mënyrë që të mos ketë mbingarkesë, gjë që do të detyronte KESH-in të ndërpriste energjinë”./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka