Stina e verës e bën edhe më të domosdoshëm kremin e diellit për të parandaluar djegien dhe kancerin e lëkurës. Por nëse nuk po e aplikoni si duhet, është e padobishme. Sa më shumë digjeni apo nxiheni nga dielli, rritet risku i rrudhave, plakjes së parakohshme dhe kancerit të lëkurës. Ndaj për të evituar të gjitha këto, kemi listuar disa këshilla praktike për të aplikuar kremin e diellit.

Tundeni shishen e kremit përpara se ta përdorni sepse kjo njëtrajtëson formulën dhe do të merrni mbrojtjen e duhur nga rrezet e dëmshme të diellit.

Përdorni rregullin e 15 minutave. Shpesh njerëzit presin derisa shkojnë në plazh për të aplikuar mbrojtjen ndaj diellit. Kjo është e gabuar sepse përpara se të dilni jashtë, duhet që kremi të ketë qëndruar të paktën 15 minuta në lëkurën tuaj. Nëse dilni përpara kësaj kohe, lëkura juaj nuk është tërësisht e mbrojtur.

Përdorni tre gishta. Sipas ekspertëve, duhet që të vendosni kremin e diellit në gjatësinë e tre gishtave tuaj të dorës për t’u siguruar se po aplikoni sasinë e duhur. Shpërndajeni butësisht në fytyrë, veshë dhe qafë pa e fërkuar me forcë që të shmangni irritimin.

Përqafoni metodën e pikave. Kur e aplikoni në trup, provoni të vendosini pika të vogla me madhësi të njëjtë në të gjitha zonat e ekspozuara ndaj diellit. Më pas masazhojeni derisa kremi të mos lërë hijen e bardhë.

Zgjidhni kremin e duhur. Asnjë këshillë e mësipërme nuk vlen nëse nuk përdorni kremin e duhur. Duhet që ky i fundit të ketë të paktën 30 faktorë mbrojtës (SPF 30). Nëse keni lëkurë shumë të bardhë dhe digjeni shpejt, zgjidhni krem me faktorë 50. Për të notuar, përdorni një krem rezistent ndaj ujit.

Sipas Shoqatës Britanike të Dermatologëve, duhet të përdorni një sasi të caktuar krem dielli për zonat e trupit:

-Fytyra dhe qafa – dy  lugë çaji

-Krahët – një lugë çaji për secilin

-Këmbët – një lugë çaji për secilën

-Kraharori dhe stomaku – dy lugë çaji

-Shpatullat dhe shpina – dy lugë çaji./tvklan.al