Këshilltarët e Vlorës: Leli shkeli ligjin duke na penguar punën




Këshilltarët e Vlorës: Leli shkeli ligjin duke na penguar punën

14:38 16/06/2021

“Të japë llogari në një tjetër takim për gjendjen në qytet”

36 anëtarë të Këshillit Bashkiak të Vlorës kërkojnë një tjetër ballafaqim publik me kryebashkiakun e Vlorës Dritan Leli pas bllokimit që ai i bëri mbledhjes së të martës në ambientet e teatrit “Petro Marko”. Që në nisje të kërkesës, ata shprehin indinjatë për bllokimin e paprecedentë të punës së tyre me anë të mbylljes së derës së një institucioni që është pronë e bashkisë dhe të drejtat e menaxhimit të tij ushtrohen nga këshilli. Sipas tyre argumenti i Lelit për të mos zhvilluar mbledhje me prezencë fizike në kushtet e pandemisë nuk qëndron pasi Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar lehtësimin e masave dhe për më tepër që takimi do të zhvillohej në kushtet e ruajtjes së distancave.

“Kryetari i Bashkisë në përgjigjen e tij ka tejkaluar në mënyrë flagrante kompetencat ligjore pasi i përcakton Këshillit Bashkiak, jo vetëm datën, por dhe vendin e zhvillimit të mbledhjes”.

Këshilltarët e akuzojnë Lelin se jo vetëm që nuk u paraqit në ballafaqim, por edhe pengoi me forcë mbledhjen e Këshillit Bashkiak duke kyçur dyert e institucionit ku do të zhvillohej mbledhja.

“Në gjykimin tonë, veprimet e kryera janë në shkelje të përcaktimeve ligjore, cenojnë rëndë një prej parimeve kryesore të demokracisë, ushtrimin e detyrës dhe të drejtës së të zgjedhurve për qytetarët”. 

Në këto kushte, këshilltarët bashkiakë kanë thirrur një tjetër mbledhje në datën 22 Qershor në të cilën kërkohet të bëhet transparence mbi vendimet e marra dhe urdhëruesit e pengimit të Këshillit Bashkiak për të kryer detyrën.

Këshilltarët kërkojnë një raportim të kryebashkiakut në lidhje me shqetësimet e komunitetit të qytetarëve për gjendjen e shërbimeve vendore siç janë pastrimi, mirëmbajtja, ndriçimi apo dhe ankesat e qytetarëve. Kohët e fundit shqetësimet e qytetarëve vlonjatë kanë qenë në rritje për shkak të gjendjes skandaloze të rrugëve apo furnizimit me ujë.

Tv Klan





Të ngjashme