“Është tendencioz, do të monitorjmë punët e bashkisë”

Kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli, refuzoi sërish të përballej me anëtarët e Këshillit Bashkiak në mbledhjen e së premtes, me pretendimin se takimi duhet të zhvillohej online. Mbledhja urgjente e Këshillit u thirr fill pas një shkresë që ju mbërriti një ditë më parë, ku kryebashkiaku kërkonte pezullim nga detyra të Sekretarit e Përgjithshëm të Këshillit, Agron Gjipali, pasi ai ka mbushur moshën e pensionit. Këtë kërkesë Leli e argumentoi në një tjetër mbledhje online.

“Mbledhja e këshillit bashkiak duhet të zhvillohet online. Nuk është bërë asnjë largim nga puna! Sekretari i Këshillit Bashkiak, Agron Gjipali, njësoj si disa kolegë të tjerë që kanë punuar në Bashkinë e Vlorës, gjatë këtyre ditëve, janë njoftuar se kanë plotësuar kushtet për të përfituar pensionin e pleqërisë”.

Por anëtarët e Këshillit Bashkiak të Vlorës e konsideruan këtë gjë tendencioze, duke refuzuar shkarkimin e Gjipalit nga detyra. Ata vijuan mbledhjen në mjedisiet e Universitetit “Ismail Qemali”, prej nga votuan pro qëndrimit në detyrë të Sekretarit të Përgjithshëm.

Këshilli Bashkiak i Vlorës e ka ftuar publikisht disa herë kryetarin e Bashkisë, Dritan Lelin, për t’u ballafaquar në lidhje me situatën që është krijuar në qytetin turistik si pasojë e moskryerjes së disa shërbimeve nga ana e bashkisë.

Por Leli ka refuzuar, madje ka penguar edhe mbledhjen e Këshillit Bashkiak, duke mbyllur sallën e teatrit ku do të zhvillohej takimi. Këshilli Bashkiak ka paralajmëruar ngritjen e një komisioni të posaçëm për të monitoruar punën e bashkisë, veçanërisht në sezonin turistik, ku Vlora vijon të ketë ende probleme në menaxhimin e mbetjeve urbane apo në infrastrukturën e brendshme rrugore.

Tv Klan