Avokati e gjyqtares kërkoi kohë për mbledhjen e provave, kreu i ILD, Artur Metani s’është dakord për shtyrjen e seancës

Këshilli i Lartë Gjyqësor u mblodh të martën për të dëgjuar konkluzionet e mbrojtjes së Enkeleida Hoxhës, për të cilën ILD kërkon shakrkim nga detyra. Gjyqtarja e Krujës u arrestua disa ditë më parë me urdhër të SPAK pasi dyshohet për korrupsion. Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë thotë se gjyqtarja Hoxha ka cënuar besueshmërinë tek publiku dhe ka diskredituar figurën e gjyqtarit, pasi firmosi lirimin me kusht të Hekuran Billës, në kundërshtim me ligjin. Billa u ekzekutua në 11 Qershor të viti të shkuar.

Burime për Klan News thanë që gjatë zhvillimit të seancës ka pasur debate mes Avokatit të Hoxhës Ardian Visha dhe kryeinspektorit Metani. Avokati kërkoi që të pezullohet procesi pasi nuk ishte e pranishme gjyqtarja, gjithashtu i duhej me tepër kohë për të mbledhur provat.

Ardian Visha tha ndër të tjera se do ti dorëzonte Metanit një marrëveshje por pa e saktësuar për çfarë bëhet fjalë. Por këto argumente janë kundërshtuar nga Artur Metani, i cili thotë që nuk ka arsye të ligjshme për të shtyrë seancën duke qenë së është i pranishëm mbrojtësi ligjor i Hoxhës. Ndër të tjera Metani tha se avokati ka pas kohën e nevojshme për të bërë mbrojtjen. Pasi doli nga dyert e polit të drejtësisë Metani deklaroi:

“ Nuk kam kërkesë zyrtare. Kur ta kem do e shqyrtoj ”.

Ndërkohë gjyqtarja e Krujës Enkeleida Hoxha me anë të një letre kishte kërkuar që të mos ishte e pranishme në seancën e 16 Shkurtit, por të përfaqësohej nga avokati. Në fund të mbledhjes KLGJ  vendosi që seanca e radhës të mbahet me 25 Shkurt, për ti dhënë mundësinë gjyqtares Hoxha që të jetë e pranishme në seancë.

Ndërkohë avokatit Visha qeveria e gjyqtarëve i la detyrë që deri në datën 23 Shkurt të dorëzojë mbrojtjen me shkrim, për lirimin e Hekuran Billës nga qelia. Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar nga KLP shkarkimin e prokurorit Bujar Memai. Por kjo seancë është shtyrë me argumentin se dy anëtarët e rinj të këshillit duan kohë për tu njohur me dosjen.  

Pak ditë më parë me urdhër te SPAK gjyqtarja Hoxha u vu në pranga pasi dyshohet se është e përfshirë në një skemë korrupsioni. Së bashku me Hoxhen u arrestuan dhe u lanë në burg, avokati Aldo Tabaku, kryesekretarja Manuela Mallkuci si dhe 7 persona të tjerë.

Klan News