Këshilli Kombëtar i PD-së ka përcaktuar shumicën e kandidatëve për deputet të opozitës. Pas dy mbledhjesh të gjata e debatesh të ashpra, emrat janë zgjedhur mes kandidaturave alternative. Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha do të kandidojë në Kavajë.

Ai i Partisë Republikane Fatmir Mediu në Fier dhe kreu i Partisë Lëvizja e Legalitetit Ekrem Spahia në Mat. Ndërsa në Tiranë do të jenë Spartak Ngjela, Edi Paloka, Shaban Memia, Vili Minarolli, Arjan Starova, Emin Riza. Në Rrugën e Kavajës Engjell Hysenbegasi, në Kombinat Mimoza Ahmeti, në Vorë Njazi Kosovrasti si dhe në Pezë, Myslym Ndroqi. Jozefina Topalli dhe Pjetër Arbnori do të kandidojnë në Shkodër. Jemin Gjana në Kukës, Ridvan Bode në Devoll, Leonard Demi në Delvinë, Mero Baze në Durrës e të tjerë.

Ndërsa Tropoja i është lënë kryetarit të PD-së atje Azgan Haklaj. Ndërkohë nuk është vendosur ende për 2 zonat në Tiranë dhe një zonë në Peshkopi. Përcaktimin e kontaktit për këto zona do t’a bëjë kryesia e partisë. Përpara përfundimit të plotë të listës, kryetari i PD-së Sali Berisha, pritet të thërrasë dhe njëherë aleatët./tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego