Edhe pse kanë mbetur tashmë jashtë kabinetit qeveritar, demokristianët në këshillin e tyre kombëtar përmes rezolutës së miratuar nuk kanë marrë vendim përfundimtar për t’u shkëputur ng koalicioni i djathtë. Kryetari Nard Ndoka ka akuzuar Partinë Demokratike, për shkelje të njëanshme të marrëveshjes politike me demokristianët, duke i bërë thirrje kryeministrit Berisha që të reflektojë lidhur m,e situatën e krijuar së fundmi.

Nard Ndoka: “Shkelja e  njëanshme e marrëveshjes së nënshkruar midis Partisë Demokristiane dhe Partisë Demokratike ka krijuar një situatë të re në marrëdhëniet tona me partnerin tonë kryesor në këtë mazhorancë dhe pret nga Partia Demokratike dhe kryeministri të reflektojnë dhe të heqin dorë nga strategjia e përçarjes të së djathtës dhe të rishikojnë marrëdhëniet e veta me Partinë Demokristiane.”

Ndërsa ai ka akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë kryetaren e parlamentit Jozefina Topalli, si nxitëse të përçarjes së PDK-së dhe të nxjerrjes së demokristianëve nga qeveria.

Nard Ndoka: “Dhe kur përpjekjet për ta përçarë dhe vjedhur Partinë Demokristiane ligjërisht dështuan atëherë kryetarja e kuvendit krijoi një grup parlamentar me mbetje nga deputetë të së majtës që do të votonin përjashtimin e Partisë Demokristiane nga qeverisja.”

Ish-ministri i Shëndetësisë Nard Ndoka i është kundërpërgjigjur edhe akuzave të kryeministrit lidhur me gjendjen në sistemin shëndetësor. Sipas Ndokës gjatë kohës që ai drejtonte këtë ministri u ndërmorën reforma tërësore në sistemin shëndetësor duke shtuar edhe fonde për investime publike./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama

Operator: Gentian Koçi