George Papadopoulos, ish-këshilltar i fushatës presidenciale të Donald Trumpit, veprimet e të cilit ishin shkas për hapjen e hetimit rreth ndikimit rus, u dënua me 14 ditë burg të premten. Gjykatësi që dha vendimin tha se zoti Papadopoulos kishte zgjedhur interesat vetjake dhe sakrifikuar interesat e vendit.

Dënimi i George Papadopoulos-it ishte shumë më i lehtë nga dënimi maksimal prej gjashtë muajsh që kërkohej nga qeveria, por dënim më i rëndë nga sa kishin kërkuar avokatët e tij. Megjithatë, avokati mbrojtës Thomas Breen tha se vendimi ishte i drejtë.

“Ne jemi shumë të kënaqur me vendimin e gjykatësit. Mendoj se ai mori parasysh të gjitha faktet. Disa njerëz mund të mendojnë se dënimi është i lehtë, ndërsa disa se është vendim i tepërt. Por nuk kam dyshim në mendjen time se gjykatësi vendosi për dënimin që ai mendoi se ishte më i drejtë”

 tha avokati.

Gjykatësi amerikan Randolph Moss tha se mashtrimi i Papadopulos-it “nuk ishte gënjeshtër fisnike” dhe se ai kishte gënjyer sepse donte një vend pune në administratën Trump dhe nuk donte të rrezikonte këtë mundësi duke u lidhur me hetimin rus.

Papadopoulos, i pari ndihmës i fushatës së zotit Trump i dënuar si pasojë e hetimit të prokurorit të posaçëm Robert Mueller, tha se ndihej “thellësisht i turpëruar” që i kishte gënjyer agjentëve të FBI-së kur ata e morën në pyetje vitin e kaluar, dhe pranoi se veprimet e tij mund të kishin penguar punën e tyre. /VOA