Mesfushori i Milanti Frank Kesi ka refuzuar klubin e Totenhemit, pasi ka për qëllim që të nderojë konratën e tij me kuqezinjtë. Prej disa ditësh, “Spërsat” dhe “Djalli” kanë qenë në diskutime rreth 25-vjeçarit, i cili bëhet futbollist i lirë në fund të sezonit.

Por lojtari nga Bregu i Fildishtë ka vendosur që të ndihmojë Milanin të fitojë titullin kampion e të mos mendojë për një transferim në Premier Ligë. Lojtari 25-vjeçar beson se shanset janë të mëdha që Milani i tij të shpallet fitues i Serisë A.

Drejtuesit e “Djallit” i kanë ofruar një kontratë të re mesfushorit, ku ai do të përfitojë 6.5 milionë Euro në sezon, por ai ka refuzuar që të firmosë rinovimin. Lojtari është i lirë që të firmosë një parakontratë me skuadrat e tjera europiane.

Kesi u bë pjesë e Milanit në vitin 2017, pasi u huazua nga Atalanta. Deri më tani, ai ka luajtur në 205 takime për “Djallin”, ku ka shënuar 35 gola dhe ka dhënë 16 asiste. Në sezonin 2021/2022, ai është aktivizuar në 21 ndeshje dhe ka realizuar 5 gola. Interesim për mesfushorin ka edhe PSG-ja.

Klan News