Ku të pushojmë, jashtë apo në Shqipëri ishte tema që u trajtua në emisionin “Opinion”, ku u ngritën disa nga të mirat, por edhe problematikat që kanë pushimet në Shqipëri. Një nga problemet më të mëdha janë insektet, të cilat janë të shumta në plazhet e vendit e sidomos në ato zona ku ka laguna afër.

Në “Opinion” ka qenë i ftuar administratori i Air DDD Alban Meça, i cili ka treguar se për fat të keq masat për luftimin e mushkonjave duhet të ishin marrë më herët dhe se këtë vit do të kemi probleme me insektet.

Blendi Fevziu: Një pjesë e madhe e plazheve të Shqipërisë, flasim për zonat ku ka edhe laguna, ka probleme shumë të mëdha edhe me insektet, mushkonjat, mizat. Në një pjesë të botës  i është gjetur zgjidhja. Unë kam në lidhje Alban Meçen e Air DDD. Kam disa pyetje, e para çfarë masash merren zakonisht për punën e spërkatjeve, si funksionon?

Alban Meça: Masat paraprake që merren te kjo fushë, ashtu siç foli edhe paneli më përpara, është një sektor shumë i rëndësishëm, masat që duhet të merren për luftimin e mushkonjave dhe jo vetëm, por të gjitha insekteve fluturuese, duhet të fillojë në një kohë më të përparme që i bie fund Marsi fillim Prilli. Ne jemi pak si vonë.

Blendi Fevziu: Domethënë këtë vit do e kalojmë me autan me vete.

Alban Meça: Këtë vit do kemi probleme të themi të drejtën, sepse nuk influencon vetëm shërbimi që ne bëjmë, por edhe ndotja e mjedisit, temperaturat e larta, gjithçka dhe është një shërbim me rëndësi shumë të maadhe, por që nuk trajtohet me atë rëndësi.

Blendi Fevziu: Po u bë trajtimi sa e redukton praninë e mushkonjave?

Alban Meça: Patjetër që e redukton në një masë shumë të madhe, por duhet të bëhet në vazhdimësi dhe duhet të bëhet nga të gjithë. Nuk mund të bëhet nga një operator ose nga një subjekt dhe të lihet një subjekt tjetër. Sa më i mirë të jetë shërbimi i bërë nga të gjithë aq më rezultativ është.

Blendi Fevziu: Kush është problemi më i madh, mushkonjat?

Alban Meça: Problemi më i madh mushkonjat janë. Ajo ka edhe sëmundje të transmetueshme./tvklan.al