Kur ishim fëmijë, shumë prej nesh kemi lexuar histori me kalorës, princesha dhe fisnikë që shkonin në ballo mbretërore me veshje elegante. Në ato histori, dukej se fisnikët mesjetarë bënin një jetë përrallore dhe çdokush dëshironte të ishte në vendin e tyre. Në artikullin e mëposhtëm, ndoshta mund të ndryshoni mendim për këtë.

Të bëje banjë konsiderohej një torturë e vërtetë

Fisniket bënin banjë të veshura me një këmishë të hollë, por disa prej tyre, si në rastin e Mbretëreshës Karolinë, bënin banjë plotësisht të veshura. Jo vetëm kaq, por vaska ishte e mbuluar me çarçafë për të krijuar efektin e saunës që mbretëresha të mos ftohej. Shërbyeset i lanin me kujdes veshjet e saj me anë të solucioneve me sapun dhe qumësht pele. Mbretëresha vishte më pas një fustan gjumi dhe shtrihej në krevatin e ngrohur më parë. Disa monarkë i ndërtonin tualetet brenda dhomës së tyre që mos të ftoheshin pasi bënin banjë.

“Kujdestari i fronit” ishte një nga rolet më prestigjioze të oborrit mbretëror

Ky pozicion përcaktonte se oborrtari duhej të kujdesej për dhomat private, garderobën dhe financat  e monarkut, madje ndonjëherë kishin të drejtë të kryenin shpenzime. Por, nga ana tjetër, duhet ta shoqëronin monarkun edhe kur kryente nevojat personale dhe të dinin gjithçka për të, ëndrrat, dëshirat, madje edhe të jepnin këshilla kur iu kërkohej.

Një mbret ose mbretëreshë nuk mund të qëndronte kurrë vetëm

Privatësia nuk ekzistonte. Sundimtarët nuk mund të qëndronin vetëm as në dhomat e tyre personale. Përveç tyre, në dhomë me ta flinin shërbyesit. Dyert nuk mbylleshin thuajse kurrë. Mbretëresha e parë që ngulmoi të kishte privatësi ishte Viktoria. Ishte shumë e vështirë për monarkët të mbanin sekrete pasi kishin sy që i vëzhgonin gjatë gjithë kohës.

Udhëtonin gjithë kohës

Oborri mbretëror përbëhej nga qindra njerëz që shoqëronte monarkun ngado që shkonte. Sigurisht, që ata kishin disa rezidenca dhe lëviznin shpesh nga njëra te tjetra. Elizabeta I Tudor e bëntë këtë me një diferencë të vogël javësh. Tingëllon argëtuese, por nuk e bënin për shkak të dashurisë ndaj udhëtimeve. Pallatet mbretërore asokohe nuk kishin sisteme të mirëfillta tubacionesh nëntokësore, kështu që pasi përdoreshin për disa javë, duhej të pastroheshin. Pallati kundërmonte nga erërat e pakëndshme kështu që monarku largohej dhe shërbëtorët mbeteshin pas për të pastruar dhe rregulluar dhomat, pasi çdo gjë duhet të ishte gati në vizitën e radhës.

Në martesat mbretërore, çifti njihej përmes artit

Martesa mbretërore ishte një ngjarje që prekte jetën e gjithë vendit. Disa prej tyre fejoheshin në moshë shumë të re dhe disa e zgjidhnin vetë partnerin e tyre. Pamja e jashtme luante një rol kyç, saqë shpesh monarkët kërkonin një portret të njeriut që do të martoheshin.

Larja e veshjeve mbretërore ishte një detyrë e vështirë dhe e ndërlikuar

Përpara shpikjes së lavatriçes dhe pluhurave larës, një rrobalarëse e posaçme kujdesej për veshjet e mbretit apo mbretëreshës. Ajo merrej me fustanet, mbulesat e shtratit dhe gjithçka tjetër. Veshjet e brendshme laheshin rregullisht, ndërsa veshjet e tjera pastroheshin me një furçë, fërkoheshin me bukë të bardhë dhe iu hiqeshin njollat me ndihmën e përbërësve natyralë. Thuajse të gjitha veshjet kishin mbushje liri që lahej rregullisht. Ishte e domosdoshme që një sundimtar mbretëror të përfaqësonte pastërti dhe rregull gjatë gjithë kohës.

Paruket gjigande nuk ishin thjesht për modë

Në shekullim XVIII, Mari Antoneta filloi një trend të ri për flokët, të quajtur “poufs”. Këto struktura të larta, të detajuara dekoroheshin me lule, pupla dhe gurë të çmuar, por njerëzit shpesh talleshin. Për më tepër, kushtonin shumë. Por zonjat përpiqeshin shumë për t’i krijuar pasi kishin një kuptim të caktuar dhe i lejonte gratë të shprehnin qëndrimin e tyre për çështje të caktuara në të cilat ato nuk mund të flisnin për shkak të normave sociale. Mari Antoneta e përdori këtë kur Luigji XVI u vaksinua kundër lisë. Asokohe, vaksinimi konsiderohej i rrezikshëm, por metoda e Mbretëreshës bëri që francezët të vaksinoheshin vullnetarisht kundër sëmundjes së rrezikshme./tvklan.al