E ftuar në emisionin “Histori ime” në Tv Klan, ka qenë gazetarja e njohur Ketrin Gjocaj e cila ka një karriere 30-vjeçare në ekran dhe ka pasur simpatinë e publikut për vite me radhë. Gjatë intervistës me moderatoren Mirela Milorin, Ketrin ka rrëfyer të pathëna si nga jeta e saj private dhe ajo profesionale. Ketrin ka shpjeguar dhe një foto që ka dalë në ekran e cila është shkëputur në vitin 1997 në kohën kur plumbat kalonin mbi kokë dhe ajo dilte të punonte si gazetare në terren.

Mirela Milori: Të ngeli peng kinemaja apo me televizionin ishte një dashuri që ta zëvendësoi.

Ketrin Gjocaj: Po, kinemaja më ngeli peng dhe ka qenë gjithmonë peng. Sigurisht mua ekrani më realizoi shumë, emisionet kanë qenë të përditshme, unë kisha shumë punë në ekranin e televizionit shqiptar.

Kjo foto më pëlqen që juve e keni përdorur, është bërë në ’97-ën, ku plumbat në atë kohë, në atë çmenduri shqiptare i kishim mbi kokë dhe unë kam dalë së bashku me operatorin Shkëlzen Sinanin, të dy kemi qenë në redaksinë e fëmijëve, kemi dalë me mikrofon dhe kemi bërë intervista sepse kishte fëmijë që vazhdonin aktivitetin, shkonin në cirk, në atë rrethin e baletit, domethënë mamatë i shoqëronin sepse fëmijët në atë kohë nuk e kuptonin atë çmenduri dhe nuk e kuptonin pse duhet të rrinin në shtëpi. Unë kam bërë disa intervista, ishte guxim në atë kohë dhe ishin shumë intervista të bukura. /tvklan.al