Autoritetet serbe kanë qenë të njoftuara për aksionin në veri të Policisë së Kosovës më 28 Maj, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KFOR-it, Vincenso Grasso.

I pyetur nëse autoritetet në Serbi e dinin këtë një ditë para operacionit, Graso u përgjigj: “Unë mendoj se ata e dinin”.

“Gjatë operacionit ne kemi komunikuar me institucionet e Kosovës, komunitetin ndërkombëtar dhe autoritetet serbe. Ne komunikojmë me ushtrinë (serbe) dhe jo Qeverinë”, tha Grasso.

Ai tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, disa herë e ka paralajmëruar këtë aksion.

“Ne nuk e kemi ditur 10 ditë më parë mirëpo Vuçiç ka thënë se NATO i kishte njoftuar autoritetet serbe”, tha Grasso.

“Jam i habitur që të gjithë janë të befasuar. Ne vazhduam të komunikonim. Gjatë operacionit ka pasur një shkëmbim të vazhdueshëm informacioni dhe të gjithë janë informuar. Ne u njoftuam një ditë më parë”, tha ai.

Policia e Kosovës ka zhvilluar të martën një operacion në veri dhe jug të Mitrovicës që si qëllim kishte arrestimin e personave të dyshuar si të përfshirë në krim të organizuar dhe kontrabandë, në mesin e tyre edhe zyrtarë policorë dhe doganierë.

Aksioni rezultoi me arrestimin e 19 zyrtarëve policorëdhe të disa qytetarëve që penguan aksionin apo që ishin të dyshuar për përfshirje në këto aktivitete jo ligjore. /REL