Situata e qetë në veri, nuk vihet re as prania e NATO-s

Javë më parë, për 13 ditë ishte tensionuar situata dhe rrugët në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak ishin bllokuar nga serbët lokalë në shenjë proteste pasi Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për veturat me targa serbe. Çtensionimi i situatës erdhi pas një marrëveshje që mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, e cila kishte tri pika.

Një Grup Punues i përbërë nga përfaqësues të BE-së, palës së Beogradit dhe Prishtinës, dhe i kryesuar nga BE-ja është krijuar për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. Takimi i parë i Grupit Punues do të mbahet më 21 Tetor 2021, në Bruksel. Brenda gjashtë muajve nga ky takim Grupi Punues do të paraqesë gjetjet e tij mbi një zgjidhje të përhershme të formatit të nivelit të lartë të Dialogut.

Edhe përfaqësuesja e Francës në OKB tha se mosmarrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është çështje e sigurisë evropiane ndaj Parisi inkurajon palët që të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme. “Kjo krizë e targave është një ilustrim i faktit se nuk ka asnjë alternativë tjetër, as për Serbinë apo Kosovën përveç një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese që zgjidh mosmarrëveshjet mes dy shteteve”, tha ajo.

Franca bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të zhvillojnë dialog konstruktiv dhe theksoi se është e rëndësishme “që të shmangen çfarëdo veprimesh të njëanshme që mund ta minojnë dialogun”.

Përfaqësuesja e Britanisë së Madhe bëri thirrje që palët t’i shmangen retorikës dhe aksioneve që mund ta përshkallëzojnë situatën derisa theksoi nevojën që të dyja palët në kuadër të dialogut në Bruksel të gjejnë një zgjidhje për lëvizjen e lirë.

Britania e Madhe kërkoi rishikimin e misionit të UNMIK-ut, pasi siç tha, rrethanat tashmë kanë ndryshuar në Kosovë. Përfaqësuesit e Nigerit, Estonisë, Indisë dhe Irlandës u kërkuan Kosovës dhe Serbisë të tregojnë vullnet politik për të bërë konsensuse, të vazhdojnë dialogun më besim të plotë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Klan News