Obama akuzon Rusinë për tragjedinë ajrore



Obama akuzon Rusinë për tragjedinë ajrore

14:27 18/07/2014 avioniHetuesit ndërkombëtrarë kanë mbërritur në vendin ku ra avioni i Malaysian Airlines.

Grupi i përbërë nga 30 hetues të OSBE-së do të nisë hetimet për incidentin tragjik të së enjtes, ku humbën jetën 298 persona.

Përmes një deklarate për shtyp, OSBE njoftoi se separatistët ishin treguar mjaft bashkëpunues me ekipin e tyre.

Por drejtuesit e rebelëve thanë se nuk do të ndalen luftimet me forcat ukrainase.

Në reagimin e parë publik për këtë ngjarje përmes një konference për shtyp në Uashington, Presidenti amerikan Barak Obama kërkoi zbardhjen sa më shpejt të rrethanave të kësaj tragjedie, përmes një hetimi ndërkombëtar.

Por ai nuk la pa përmendur faktin se të gjitha dyshimet bien mbi rebelët filo-rusë.

Obama fajësoi palën ruse për tensionet në lindje të Ukrainës, që u bënë shkak edhe për një tragjedi të tillë.

Pas publikimit nga CNN të lajmit se shërbimet inteligjente amerikane besojnë se rebelët filo-rusë ishin përgjegjës për sulmin ndaj avionit, mediat ndërkombëtare citojnë burime të shërbimeve inteligjente të kenë thënë se rusët i kishin pajisur ilegalisht rebelët me raketat potenciale BUK.

Në disa pamje të publikuara në media shfaqen kamionë që transportojnë raketa tokë-ajër drejt territorit rus.

Dyshohet se transporti i tyre po kryhet pas rënies së avionit malajzian, me qëllim zhdukjen e gjurmëve.

Në video vihet re se në raketahedhës ndodhen vetëm dy nga 4 raketat BUK, të cilat mendohet të jenë përdorur në për sulmin.

Ndërsa në një video amatore, që mendohet të jetë xhiruar para ngjarjes, shfaqen automjete që transportojnë disa raketa të tjera, që mendohet se janë në duart e filo-rusëve.

Megjithatë, askush nuk mund t’i vërtetojë këto pretendime.

Të tjera dyshime hedhin mediat ruse, sipas të cilave sulmi mund të ketë patur si objektiv avionin e presidentit rus Vladimir Putin.

Burime nga Agjensia Federale e Transportit ajror rus citohen të kenë thënë se Avioni Ilushin i Presidentit rus po kthehej në të njejtën kohë nga Brazili, ku Putin ndodhej për të parë finalen e botërorit.

Në të njejtën pikë avioni i Putin kishte kaluar rreth 45 minuta më vonë.

Për të vërtetuar akuzat ndaj separatistëve, më herët Shërbimi Inteligjent ukrainas kanë publikuar në YouTube disa biseda telefonike të përgjuara.

Në to, informohen për ngjarjen eksponentë të lartë filorusë disa minuta pas rrëzimit të Boingut.

Separatistët pretendojnë se kanë qëlluar ndaj një avioni transporti ushtarak ukrainas.

Tv Klan






Të ngjashme