Putin urdhëron vendosjen e një sigurie më të fortë kufitare

Mbi 50 dronë u lëshuan nga Rusia në Kiev, në atë që cilësohet si sulmi më i madh mbi kryeqytet.

Një person mbeti i vrarë dhe një grua u plagos,  ndërsa Mbrojtja Ajrore e Ukrainës arriti që të rrëzonte 52 dronë nga 54 që u lëshuan nga forcat ruse. Sulmet ndodhet kur kryeqyteti feston Ditën e Kievit, që mbahet të dielën e fundit të Majit.

Në sulmet e saj të fundit, Rusia ka përdorur të ashtuquajturat drone kamikaze, si dhe një sërë raketash balistike. Në disa zona të Kievit, alarmet për sulm ajror filluan menjëherë pas mesnatës, shumë njerëz qëndruan në ballkonet e tyre. Në pjesën jugperëndimore të Kievit, u dëmtua rëndë një ndërtesë trekatëshe dhe disa struktura të vogla banimi.

Forcat Ajrore Ukrainase bënë të ditur se Rusia kishte shënjestruar objektet ushtarake dhe infrastrukturore kritike në rajonet qendrore të Ukrainës, dhe në rajonet përreth Kievit.

Sakaq, presidenti Vladimir Putin urdhëroi vendosjen e një sigurie më të fortë kufitare në rajonet ukrainase tani nën kontrollin e Moskës. Sulmet brenda Rusisë janë rritur në intensitet javët e fundit, kryesisht me sulme me dronë në rajonet përgjatë kufirit.

Ukraina ka planifikuar një kundërsulm prej muajsh. Ajo ka kërkuar sa më shumë kohë të jetë e mundur për të trajnuar trupat dhe për të marrë pajisje ushtarake nga aleatët perëndimorë.

Tv Klan