Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy priti një samit në Kiev të shtunën për të promovuar nismën e tij “Grurë nga Ukraina” për vendet më të prekura nga uria dhe thatësira.

Udhëheqësi ukrainas tha se plani tregon se siguria globale e ushqimit nuk është “vetëm fjalë boshe”. Ai shtoi se Kievi ka mbledhur rreth 150 milionë dollarë nga më shumë se 20 vende dhe Bashkimi Europian për të eksportuar grurë në vende të varfra duke përfshirë Etiopinë, Sudanin, Sudanin e Jugut, Somalinë dhe Jemenin.

“Plani i nismës sonë të re humanitare është shumë i thjeshtë, transparent dhe shumë i rëndësishëm. Ne planifikojmë të dërgojmë nga portet e Ukrainës të paktën 60 anije drejt vendeve që vuajnë më shumë nga kriza ushqimore dhe kanë nevojë për ndihmë urgjente.”

Në samit morën pjesë personalisht kryeministrat e Belgjikës, Polonisë dhe Lituanisë dhe presidenti i Hungarisë. Presidentët e Gjermanisë dhe Francës dhe presidentja e Komisionit Europian mbajtën fjalime në distancë nëpërmjet video lidhjes.

Mbledhja e samitin përkoi me ditën e përkujtimit vjetor të Holodomor, urinë e krijuar nga Stalini që vrau miliona ukrainas në dimrin e viteve 1932-1933. E shpallur nga Kievi në fillim të këtij muaji, nisma plotëson marrëveshjen e ndërmjetësuar nga OKB-ja për lehtësimin e eksportit të që ka lejuar disa dërgesa ukrainase të drithërave përmes Detit të Zi, një rrugë jetike për eksportet e prodhuesve kryesorë të grurit që ishin bllokuar.

Në fjalimin e tij, presidenti Macron njoftoi një ndihmë prej 6 milionë eurosh (6.24 milionë dollarë) për transportin dhe shpërndarjen e drithit nga Programi Botëror i Ushqimit në Jemen dhe Sudan. Macron shtoi se këto vende nuk duhet të paguajnë çmimin e agresionit rus në Ukrainë.

Kryeministri polak akuzoi Rusinë se po synon ‘vdekjen, urinë dhe hipoterminë për civilët’ si metoda për të thyer Ukrainën.

“Në vend që të luftojë ushtarët, Rusia po sjell vdekje, urinë dhe hipotermi për civilët. Këto metoda të luftës totale kanë qenë prej kohësh në arsenalin rus.”

Disa herë Rusia është përpjekur për ta penguar marrëveshjen për eksportin e drithit ukrainas.

Klan News