Mbrojtja ajrore zmbrapsi sulmet në disa qytete, Biden: Përdorimi i armëve bërthamore nga Rusia, kërcënim real
Sirenat u ndezën në të gjithë Ukrainën, ndërsa Rusia nisi një sulm të madh ajror nga lindja në perëndim.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës bëri të ditur se mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi 32 nga 35 dronët Shahed të prodhimit iranian. Administrata ushtarake e Lviv, një qytet me rreth 700,000 banorë dhe 70 km nga kufiri me vendin e NATO-s të Polonisë, bëri të ditur se forcat ruse shkatërruan një infrastrukturë kritike në qytet, duke shkaktuar zjarr.
Alarmet për sulm ajror u dëgjuan gjithashtu në Zaporizhzhia ndërsa rraketat dëmtuan një banesë dhe disa zona bujqësore, ndërsa nuk raportohet për viktima apo të lënduar. Presidenti, Volodymyr Zelensky në një fjalim u shpreh se forcat ukrainase nuk kanë humbur pozicione në kundërsulmin e tyre kundër trupave ruse.
“Forcat tona po ecin përpara, ata po mbrojnë pozicionet dhe po u rezistojnë sulmeve të intensifikuara nga pushtuesit. Ne nuk kemi pozicione të humbura, vetëm të çliruara. Ata kanë vetëm humbje.”
Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës ka deklaruar se kundërofensiva në shkallë të plotë e Ukrainës nuk ka ardhur ende, por pranoi se operacioni është i vështirë pasi Rusia bën gjithçka që mundet për të ndaluar ofensivën.
Ndërkaq presidenti amerikan, Joe Biden ka deklaroi se kërcënimi i Vladimir Putinit duke përdorur armë bërthamore taktike është real. Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko konfirmoi dërgimin e armëve taktike bërthamore të Moskës javën e kaluar.
Klan News