“Pas tërmetit të 21 Shtatorit shumë godina pësuan dëmtime, askush nuk shkoi t’i vinte shiritin pallatit, fare. E kemi ndjekur në Klan Plus një muaj rresht më mbrapa, pallate të çara, të shkalafitura, kolona të dëmtuara, njerëz të pataksuar brenda dhe askush nuk shkoi. Në 21 Shtator kishte dy aktorë shumë të rëndësishëm që dhanë garanci. Ky zotëria këtu ka thënë se ndërtimet tona janë të sigurta, u koaliduan dhe nuk kanë probleme, ndërkohë pallatet e plazhit ishin të tëra të çara. Ky e ka thënë e kemi të filmuar”.

Kështu iu drejtua këtë të enjte gazetari Mentor Kikia drejtorit të Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu, gjatë emisionit “Opinion” pas tërmetit që shkatërroi pallate të tëra dhe u mori jetën dhjetëra personave.

Por Hysenlliu i kërkoi gazetarit që të mos i vendosë fjalë në gojë të cilat nuk i ka thënë pas tërmetit të 21 Shtatorit. Hysenlliu deklaroi se ka thënë që objektet që janë konstatuar në Tiranë nuk kanë pasur probleme në strukturë.

Por sipas Kikisë, me deklaratën e bërë nga drejtori i Institutit të Ndërtimit pas tërmetit të 21 Shtatorit vuri në gjumë qeverinë dhe ktheu njerëzit në banesa të cilat ishin të rrezikshme.

Por Hysenlliu deklaroi se nuk mund të akuzojë projektuesit nëse tërmeti ka ndodhur mbi 8 ballë pasi limiti në Shqipëri për të ndërtuar është 8 ballë.

Agron Hysenlliu: Përpara se të më drejtoni pyetje duhet t’iu kthej një përgjigje për gishtin që më drejtove. Unë nuk kam thënë që godinat në Shqipëri nuk kanë problem. Nuk e them dot. Do të ishte aprofesionale nga ana ime ta thosha këtë. Kam thënë nga aktet e ekspertimit që kam bërë në terren. Akt konstatimi në qytetin e Tiranës, 90% e objekteve që kemi konstatuar nuk kanë probleme në strukturë. Kjo është tepër e rëndësishme dhe mua në gojë mos më vër llafe që nuk i kam thënë.

Mentor Kikia: Ju nuk përgjigjeni vetëm për Tiranën. Ne iu kemi intervistuar ju zotëri për Durrësin dhe keni thënë “ishte një dëshmi, ishte një fitore për inxhinierinë shqiptare”.

Agron Hysenlliu: E them prapë.

Mentor Kikia: Si mundet që me konstatim ju të arrini në përfundimin që kolonat e pallatit nuk janë dëmtuar sepse ju vutë qeverinë në gjumë me thënien tuaj. Me konstatimin tuaj qeveria vuri festën mënjanë dhe njerëzit atje futën kokën në gërmadha.

Agron Hysenlliu: Ta them unë, në qoftë se një projektues ka projektuar mbi hartën sizmike me një intensitet që është 8 ballë dhe ky tërmet është 8 ballë mos është më shumë, atëherë unë kur vete që konstatoj nga eksperienca shikoj që një strukture nuk i ka ikur hekuri, nuk është zhveshur struktura, nuk ka plasaritje, domethënë që kapaciteti që ndërtesa ta përballojë tërmetin do të thotë që projektuesi ia ka dhënë atë kapacitet ta përballojë. Në qoftë se ky objekt do shkërmoqej me tërmetin e parë unë do thosha që ky projektues nuk ka projektuar mbi bazën e tërmetit që kemi ne limit, 8 ballë. Nëse ka projektuar për tërmetin 8 ballë dhe katastrofa ndodh mbi 8 ballë nuk kam si ta akuzoj se ky është ligji në Republikën e Shqipërisë./tvklan.al