Kili përfshihet nga protesta të mëdha antiqeveritare

Posta

Kili përfshihet nga protesta të mëdha antiqeveritare

17:35 21/10/2019

Vendi në gjendje të jashtëzakonshme, 7 të vrarë

Kryeqyteti kilian Santiago po përjeton këto ditë protestat më të mëdha dhe më të dhunshme që prej rënies së regjimit ushtarak të Augusto Pinoçetit në vitin 1990.

E hëna shënoi ditën e tretë të përplasjeve të ashpra nëpër rrugë mes protestuesve anti-qeveritarë dhe forcave të sigurisë, që deri më tani i kanë marrë jetën 7 personave.

Protestat i nisën studentët javën e kaluar, pas vendimit të qeverisë për rritjen e çmimit të biletave të transportit publik, të autobusëve dhe linjave të metrosë. Këto të fundit kanë qenë në shënjestër të sulmeve të protestuesve.

Studentëve u janë bashkuar edhe banorë të Santiagos, të cilët dolën në rrugë me lugë e tiganë, simbol proteste kundër kostove të larta të jetesës.

“Të rinjtë bëjnë shumë mirë po dalin në protesta sepse kanë rritur çmimet e biletave. Në vend të rrisin rrogat, ata rrisin biletat.”

“Studentët po protestojnë në mënyrën e duhur, duke na përfaqësuar edhe ne që e kemi të pamundur për shkak të punës.”

Manifestimet popullore janë shtrirë edhe në qytetet e tjera të vendit, duke detyruar presidentin Sebastian Pinjera të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. Por marrja nën kontroll e situatës nga ushtria nuk ka bërë gjë tjetër veçse e ka acaruar edhe më tepër situatën. Kili renditet ndër vendet kryesore në botë me hendekun më të lartë mes shtresës së pasur dhe atyre më të ulëta.

Tv Klan


Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
Grupi
UKT