Përfundimin me sukses të muajit të parë të trajnimit bazë të 28 kandidatëve për hetues për Byronë Kombëtare të Hetimit, BKH, e kanë përshëndetur ambasada amerikane në vendin tonë, vetë ambasadorja Yuri Kim, si dhe ambasadori i BE, Luigi Soreca. Në postimet e tyre në rrjete sociale, si SHBA ashtu edhe BE, vlerësojnë arritjet e deritanishme të Reformës në Drejtësi dhe rikonfirmojnë mbështetjen e tyre ndaj kësaj reforme.

“Urime 28 hetuesve të sapoemëruar të BKH-së. Këta individë janë testuar dhe janë duke u trajnuar. SHBA-të janë krenare që mbështesin këta individë ndërsa ata ndërmarrin fazat e tjera të trajnimit të tyre dhe ndihmojnë për të çuar përpara Reformën në Drejtësi. Ne i urojmë fat të mirë të gjithë atyre që kohët e fundit kanë dorëzuar aplikimet e tyre për të qenë pjesë e grupit të dytë të hetuesve të BKH-së”, u shpreh Ambasada e SHBA në vendin tonë.

“Reforma në Drejtësi nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por po ecën përpara, hap pas hapi. SHBA është krah Shqipërisë në çdo hap dhe çdo hap para e sjell Shqipërinë më pranë anëtarësimi në BE. SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht zbatimin në mënyrë që institucionet të funksionojnë me integritet dhe të japin rezultate”, shkruajti Kim.

“Urime për 28 hetuesit e BKH të emëruar sot pasi kaluan me sukses rekrutimin dhe trajnimin fillestar. SPAK tani mund të mbështetet tek grupi i parë i hetuesve të specializuar në luftën e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Reforma në Drejtësi në Shqipëri vazhdon”, tha Soreca.

SPAK njoftoi këtë të premte përfundimin e trajnimit bazë të 28 hetuesve të rinj që javën e ardhshme do të emërohen zyrtarisht si hetues të BKH. Gjithashtu, në njoftim thuhej se të tjerë kandidatë kanë dorëzuar aplikimet për të qenë pjesë e grupit të dytë./tvklan.al