Ambasadorja Yuri Kim ka vizituar KZAZ-në 35, e cila është e vendosur në shkollën “Vasil Shanto” në Tiranë. Ajo ishte e shoqëruar nga Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Së bashku ata folën përpara numëruesve të tre partive më të mëdha në vend, PS, PD dhe LSI.

Ambasadorja tha se do të jetë pranë numëruesve në nisje të procesit në këtë qendër numërimi.

“Do të jem me ju ndërsa do nisni si proces. Faleminderit shumë”, tha ajo.

Kryekomisioneri i kërkoi numëruesve nga ana e Partisë Demokratike që të ndryshojnë bluzën me logon e selisë blu.

“Uroj që të keni shëndet të plotë dhe të mos lodheni”, tha ai.

Më vonë, Kim dhe Celibashi takuan anëtarët e KZAZ-së ndërkohë që inspektuan edhe pajisjet që po përdoren për numërimin./tvklan.al