Ibrahimi:  Sistemi do të plotësohet me gjak të ri

Ambasadorja amerikane në Tiranë Juri Kim thotë se ka ardhur koha që institucionet e reja të drejtësisë të tregojnë se janë të pavarur nga politika dhe interesat korruptive. Në një ceremoni të organizuar për ditën e drejtësisë, diplomatja amerikane tha se ka ende punë për të bërë në këtë drejtim.

“Reforma në Drejtësi ka bërë shumë përpara por mbetet ende për të bërë. Ka qenë një rrugë e vështirë dhe përgjatë rrugës kemi pasur biseda të vështira. Ju keni paguar një çmim të lartë dhe dëshiroj t’ju falënderoj për këtë. Është koha që ju të tregoni se jeni të pandikuar nga politika, se nuk ka vend për korrupsion dhe aktorë korrupsioni në sistemin e drejtësisë”.

Gent Ibrahimi kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë tha se shumë shpejt sistemi i drejtësisë do të plotësohet me figura të reja.

“Nga viti që vjen sistemi do të furnizohet me gjak të ri. Do të ketë magjistratë të rinj, të mbrojtur. Të përgatitur profesionalisht e moralisht për premtimin e Reformës në Drejtësi”.

Një thirrje për rritjen e pavarësisë së institucioneve bëri edhe Alexis Hupin, Drejtues i Seksionit Politik të Delegacioni të Bashkimit Evropian në Shqipëri. 

Tv Klan