Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, ka biseduar me Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.

Në një postim në rrjetet sociale, ambasadorja thotë se ka theksuar se lidershipi i tyre i unifikuar në luftën kundër Covid-19 duhet të vazhdojë.

“Tashmë nuk është koha për politikë si gjithmonë. Nuk mund ta fitojmë luftën pa unitet dhe disiplinë nga të gjithë liderët dhe njerëzit që nga Shkodra deri në Sarandë”, shkruan ambasadorja Kim.

Ndër të tjera, Kim thotë se është e natyrshme që të ndihemi të lodhur nga masat e forta por duhet të vazhdojmë që të jemi vigjilentë. Për këtë shprehet se edhe ambasada amerikanë në Tiranë po bën punën e saj që të gjithë të qëndrojnë në shtëpi.

Ambasadorja e SHBA-ve në vendin tonë, Yuri Kim ka biseduar këtë të hënë edhe më ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Në një postim në rrjetet sociale, Kim thotë se ka falenderuar ministren dhe punonjësit e shëndetësisë së Shqipërisë për luftën kundër Covid-19. Ndër të tjera, ambasadorja thotë që është shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi./tvklan.al