Ambasadorja e SHBA në Tiranë, përveç angazhimit të saj politik gjen kohë dhe për të udhëtuar nëpër Shqipëri, për të parë vendet turistike dhe për t’i promovuar ato. Në një intervistë për “Opinion” në Tv Klan, Kim ka folur për pjesën e saj të punës në Shqipëri, që nuk është marrëdhënia me politikanët por me njerëzit e thjeshtë që i takon nëpër vendet që viziton.

Kim ka treguar se çfarë bisedon me qytetarët dhe e qun veten me fat që është e dërguara e SHBA në Shqipëri. Diplomatja thotë se të gjitha vendet që viziton bëhen të preferuarit e saj dhe premton se shumë shpejt do të vizitojë dhe Korçës.

Blendi Fevziu: Kam parë që lëvizni shumë në Shqipëri, vizitoni shumë site dhe vende, por sidomos ndryshe nga ambasadorët e tjerë, takoheni me shumë qytetarë të zakonshëm, kudo në Shqipëri. Cili është perceptimi që keni nga këta njerëz, për vendin, për të ardhmen e vendit?

Ambasadorja Yuri Kim: Kjo është një nga pjesët e preferuara të punës sime, sepse siç e përmenda më parë, detyra ime si diplomate është të punoj me qeverinë, të punoj me zyrtarë të zgjedhur dhe udhëheqës, por është edhe të ndërtoj lidhjet mes njerëzve, midis popullit amerikan dhe popullit shqiptar. Dhe kur lëviz nëpër vend, shoh…

Blendi Fevziu: Erdhët në një moment të vështirë për shkak të pandemisë…

Ambasadorja Yuri Kim: Po, por nuk mund të ndalosh së jetuari për shkak të një pandemie, apo jo? Duhet të gjesh mënyra për t’u lidhur me njerëzit. Thatë më parë që jam ndryshe nga paraardhësit, për shkak të mënyrës që flas me njerëzit. Mendoj se nuk është e vërtetë në fakt.

Blendi Fevziu: Kam parë shumë foto në Instagram, me qytetarë të zakonshëm, me të rinj…

Ambasadorja Yuri Kim: Pikërisht kjo është. Është për shkak të medias sociale. Mendoni se flas me njerëzit më shumë se kushdo tjetër, por është…

Blendi Fevziu: Po, është më e dukshme…

Ambasadorja Yuri Kim: Sepse paraardhësit e mi nuk kishin Instagram. Kur flas me njerëzit, i pyes për çfarë janë të shqetësuar, çfarë mendojnë, çfarë shpresojnë për fëmijët e tyre, dhe çfarë presin nga udhëheqësit e tyre e çfarë duan nga Shtetet e Bashkuara.

Blendi Fevziu: Dhe komentet e tyre?

Ambasadorja Yuri Kim: E duan vendin e tyre, e para. Dhe të gjithë biem në një mendje se Shqipëria ka kaq shumë potencial, sidomos mes të rinjve. E dini, shumica e shqiptarëve flasin dy a tri gjuhë, e pabesueshme. Një aset i jashtëzakonshëm. Dhe shqiptarët dinë si të përballen me kaq shumë situata të ndryshme dhe shpresa ime është që me pastrimin e sistemit të gjykatave, me çrrënjosjen e korrupsionit, me biznesit që bëhet më transparent, do të ketë më shumë mundësi për të rinjtë e Shqipërisë që vërtet të zhvillojnë dhe kontribuojnë talentin e tyre.

Blendi Fevziu: Të përfshihen më shumë në zhvillimin e vendit.

Ambasadorja Yuri Kim: Ky mund të jetë një vend i madh. Është e thënë të jetë një vend i madh.

Blendi Fevziu: Jeni thuajse në mes të mandatit tuaj si Ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, si ndiheni për vendin?

Ambasadorja Yuri Kim: Mendoj se jam ambasadorja amerikane më me fat në botë.

Blendi Fevziu: Pse?

Ambasadorja Yuri Kim: Thjesht kështu është! Është një vend i bukur por më shumë se kaq, ka njerëz të mrekullueshëm. E di që hera-herës ndjeni pak të ngrysur…

Blendi Fevziu: Vendet e vogla të botës, janë…

Ambasadorja Yuri Kim: Mendoni se është tepër e vështirë, por si e jashtme, si e huaj, kam qenë këtu për një vit e gjysmë dhe nga çfarë kam parë deri sot, i shoh sfidat, nuk jam e verbër, por jam e mbushur me shpresë. Sepse mendoj që njerëzit këtu janë të talentuar, janë shumë punëtorë dhe shpresoj që me kalimin e kohës, dhe sidomos me qeverinë e ardhshme, do të kemi mundësi të trajtojmë më shumë problemet që e pengojnë këtë vend të bëhet aq i pasur dhe i mirë sa duhet të jetë dhe mund të jetë.

Blendi Fevziu: Ambasadore, kam parë që përveç punës tuaj, udhëtoni në fundjavë, vizitoni site apo vende në Shqipëri.

Ambasadorja Yuri Kim: Po.

Blendi Fevziu: Cilat janë vendet e preferuara? Çfarë gjeni midis Veriut dhe Jugut?

Ambasadorja Yuri Kim: E dini ku qëndron problemi?

Blendi Fevziu: Po?

Ambasadorja Yuri Kim: Secili vend që vizitoj bëhet i preferuari im.

Blendi Fevziu: Deri sa të shkoni tek tjetri.

Ambasadorja Yuri Kim: Deri tek tjetri. Kështu, kam qenë disa herë në veri. Kam qenë në Shkodër mendoj tri herë.

Blendi Fevziu: Keni bërë hiking nga Valbona në Theth.

Ambasadorja Yuri Kim: Po, bëmë një ngjitje nga Valbona në Theth, një mrekulli. Dhe jo vetëm natyra. Më pëlqen shumë të has ngjitës të tjerë rrugës, të shkëmbejmë disa fjalë dhe të ndaloj për kafe e të tjera, është shumë bukur. Kam qenë disa herë në Elbasan, disa herë në Sarandë, Himarë, Vlorë, Durrës, dhe pas nja dy javësh do të shkoj në Korçë më në fund.

Blendi Fevziu: S’keni qenë në Korçë?

Ambasadorja Yuri Kim: Nuk kam qenë në Korçë. Pra, ka shumë vende ku s’kam qenë ende.

Blendi Fevziu: Do të jetë vizitë e shkëlqyer, mendoj, sepse Korça ka shumë traditë.

Ambasadorja Yuri Kim: Po./tvklan.al