“Reforma në Drejtësi po sjell zhvillime dhe rezultate pozitive”

Një hap që duhet ndërmarrë për të vazhduar ngjitjen e malit. Kështu e konsideron ambasadorja amerikane Yuri Kim funksionimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe shton se po lëvizet në drejtimin e duhur.

Ajo ishte e pranishme këtë të enjte në një aktivitet për garantimin e drejtësisë së efektshme në Gjykatën e Lartë.

Duke qenë se kjo gjykatë nisi procedurat e aplikimit të kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese, ajo nxiti KLGJ-në që të përfundojë procedurat për vlerësimin dhe të rendisë e caktojë më të mirët ë verifikuar.

Kjo sipas ambasadores hap rrugën për arritjen në majën e malit dhe mund të arrihet vetëm nëse punohet së bashku.

“Një Gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale është një hap që duhet ta ndërmerrni për të vazhduar ngjitjen e malit. Ju po lëvizni në drejtimin e duhur, por unë e nxis Këshillin e Lartë Gjyqësor që të përfundojë procedurat për vlerësimin dhe të rendisë e caktojë kandidatët më të mirë të verifikuar që kanë aplikuar për ngritje në detyrë në Gjykatën e Lartë. Sapo Këshilli ta bëjë këtë, kjo do të hapë rrugën për udhëtimin e Gjykatës së Lartë drejt majës së malit. Majën mund ta arrini vetëm nëse punoni së bashku”, tha Kim.

Kim shton se institucionet e drejtësisë tashmë janë funksionale dhe se reforma po sjell zhvillime dhe rezultate pozitive.

“Institucionet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën e Lartë, janë tashmë funksionale dhe reforma në drejtësi po sjell zhvillime dhe rezultate pozitive. Publiku shqiptar meriton të shohë se çfarë janë të afta të bëjnë këto institucione me të pasur kapacitet të plotë! Të gjithë jemi duke iu ngjitur së bashku majës së atij mali. Shqipëria është tani në kulmin e reformës reale në drejtësi. Shtetet e Bashkuara ju nxisin të ruani ritmin dhe punën e mirë, pavarësisht nga pengesat që hasni, dhe pavarësisht nga shkëmbinjtë që bllokojnë rrugën tuaj. Të japësh drejtësi është një sipërmarrje e rëndësishme dhe sfiduese. Mbështetja jonë për ju dhe sistemin do të vazhdojë! Do të takohemi në majë”!

/tvklan.al