“I kujtojmë Ramës dhe Bashës angazhimet e 5 Qershorit”

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, i ka kujtuar Ramës e Bashës angazhimin që morën me marrëveshjen e 5 Qershorit.

Ajo shkruan në Twitter se ata janë përgjegjës për reformën zgjedhore ndërsa propozimet që bëhen duhet të jenë me besimin e mirë mes palëve.

“Ne i kujtojmë kryeministrit Edi Rama, Lulzim Bashës dhe të gjithë udhëheqësve të tjerë të gjitha angazhimet që ata kanë bërë në lidhje me marrëveshje e 5 qershorit dhe çdo masë përtej kësaj. Angazhimi, propozimet dhe kundër-propozimet duhet të jenë me mirëbesim. Gjithmonë do të ju mbështes, por ju, udhëheqësit, jeni pala përgjegjëse”, shkruan ambasadorja Yuri Kim në mesazhin e saj.

Postimin, ambasadorja amerikane e shoqëron me deklaratën e saj në ditën e miratimit në Kuvend të marrëveshjes së 5 Qershorit.

Opozita dhe mazhoranca nuk kanë rënë dakord për ndryshimet kushtetuese që u miratuan më 30 Korrik. Partia Socialiste ka propozuar në Këshillin Politik draftin e saj për listat e hapura dhe koalicionet.

Ndërkohë opozita ka kërkuar të marrë ekspertizën e OSBE/ODIHR. Të dyja palët akuzojnë njëra tjetrën se duan të minojnë implementimin e Kodit të ri Zgjedhor.

/tvklan.al