Koreja e Veriut ka ekzekutuar disa zyrtarë të lartë që ishin të përfshirë në bisedimet me SHBA-në në samitin e Vietnamit. “New York Times” raporton se zyrtarët koreano-veriorë u ekzekutuan pas samitit të dështuar në muajin Shkurt mes SHBA-së dhe Koresë Veriore, ku Presidenti Trump dhe Kim Jong Un nuk arritën asnjë marrëveshje.

Kim Hyok Chol, i dërguari i posaçëm i Koresë së Veriut në SHBA, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të cilët kishin për detyrë të zhvillonin bisedimet për arritjen e një marrëveshje, u konsideruan përgjegjës për dështimin e samitit. Koreja e Veriut shpresonte se në rast të arritjes së një marrëveshje me SHBA-në, do të hiqeshin sanksionet ekonomike të vendosura ndaj saj lidhur me programin bërthamor. Kurse gazeta e Koresë së Jugut, “Chosun Ilbo” raporton se ekzekutimet janë kryer për të larguar vëmendjen nga pakënaqësitë e brendshme në Korenë e Veriut pas një raporti të OKB-së ku evidentohet se banorët e shtetit komunist jetojnë në një rreth vicioz korrupsioni dhe recesioni. Akuza zyrtare e ekzekutimit të zyrtarëve koreano-veriorë është spiunazh për SHBA.

Një tjetër zyrtar i lartë i quajtur Kim Yong Chol, i është nënshtruar punës së detyruar dhe edukimit ideologjik. Kim Jong Un ka dënuar edhe vetë motrën e tij. Ai e ka ulur atë në detyrë, e cila ka qenë një nga shoqërueset më të larta në samitet me SHBA. Sipas raportimeve të shtypit botëror, thuhet se Kim Jong Un ka ekzekutuar dhjetëra zyrtarë të lartë të vendit të tij që kur mori pushtetin në vitin 2011. /tvklan.al