CNN: Iu nënshtrua një operacioni pas atakut kardiak

Lideri komunist koreanoverior Kim Jong-un mund të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në zemër. Dyshimet hidhen nga rrjeti prestigjoz televiziv CNN, që citon burime të zbulimit amerikan, të cilat thonë se Kim Jong-un iu nënshtrua ndërhyrjes pas një ataku kardiak.

Sipas CNN, problemet kardiovaskulare mund t’i kenë ardhur për shkak se e ka tepruar me konsumin e cigareve, prej obezitetit dhe mbingarkesës me punë.

Megjithatë, mediat koreano-jugore thonë se gjendja e tij shëndetësore nuk është e rëndë. Autoritetet në Seul thanë se nuk kanë konstatuar asnjë zhvillim të pazakontë nga fqinji i tyre verior. Se si është e vërteta, kjo është e vështirë të zbulohet krejtësisht, pasi vendi komunist është jashtëzakonisht i izoluar dhe burimet e vetme të informacionit për botën e jashtme janë mediat e kontrolluara nga regjimi që nuk kanë bërë deri më tani asnjë deklaratë zyrtare.

Dyshimet i hodhën fillimisht disa media të drejtuara nga shtetas koreanoveriorë të arratisur. Hera e fundit që Kim Jong-un u shfaq në publik ishte 11 prilli, në një mbledhje të komitetit qëndror të partisë. Dyshimet lindën pasi ai nuk ishte i pranishëm në ceremonitë për përvjetorin e 108 të lindjes së gjyshit të tij Kim Il Sung, themelues i Koresë së Veriut.

Nuk përjashtohet mundësia që lideri komunist të jetë këshilluar të qëndrojë larg mbledhjeve e takimeve publike, për të shmangur infektimin me COVID-19, i prirur për pasoja fatale, për shkak të problemeve shëndetësore. Pasuesja e tij më e mundshme është e motra, Kim Jo-Jong.

Tv Klan