Kim: Listat e pastra i kërkon ligji, jo ambasadorët



Kim: Listat e pastra i kërkon ligji, jo ambasadorët

09:57 03/02/2021

Ambasadorja amerikane i përgjigjet deklaratave të Ramës

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ka reaguar në rrjetet sociale duke thënë se listat e pastra të kandidatëve për deputetë nuk duhen bërë për shkak se e kërkojnë ambasadorët, por për shkak se këtë e kërkon ligji dhe populli. Përgjegjës për këtë sipas Kim janë kryetarët e partive, duke i kthyer përgjigje në këtë mënyrë deklaratave të Ramës të martën.

“Kryetarët e partive nuk duhet t’i pastrojnë listat vetëm se e tha ndonjë ambasador, apo se SHBA-ja e ka bërë të qartë se korrupsioni është përparësi. Duhet ta bëjnë këtë sepse kërkohet nga ligji shqiptar, është e pritshme nga një aleat i NATO-s dhe vend aspirues për BE-në dhe është një shenjë bazë e respektit ndaj votuesve”, shkruan Kim në Twitter.

Kujtojmë që ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama tha se nuk ka nevojë që t’ia kujtojë detyrën asnjë ambasador në Republikën e Shqipërisë. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët Rama tha: Ndërkohë që për sa i përket pyetjes, unë nuk kam nevojë që të ma thotë ambasadorja amerikane detyrën time. Kam shumë respekt për ambasadoren amerikane. Natyrisht ajo është në të drejtën e vet të thotë atë që mendon, por kjo përgjigje nuk është për të, por për ju. Mos ma nxirrni përpara ambasadoren amerikane ka thënë kështu, ka thënë ashtu. Nuk kam nevojë të ma kujtojë detyrën time asnjë ambasador në Republikën e Shqipërisë. Të gjithë janë të respektuar, nuk ka nevojë të ma kujtojë asnjë koordinator në PE, nuk ka nevojë të ma kujtojë askush. E di mirë detyrën time karshi ligjit dhe popullit shqiptar.

Sipas Ramës, ligji është i qartë dhe partitë politike nuk mund të kthehen në drejtori policie, por vetëm të vlerësojnë kandidatët në bazë të dokumenteve që kanë në dispozicion./tvklan.al







Të ngjashme