“Një tjetër shembull i bashkëpunimi SHBA-BE në Shqipëri”. Kështu shkruan ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, në lidhje me bashkëpunimin amerikan dhe europian për Shqipërinë sa i përket situatës së zjarreve.

Kim thotë se ekspertët amerikanë po punojnë nga afër me pilotët e helikopterëve holandezë dhe çekë në përpjekjet e tyre për të shuar zjarret në vendin tonë. Kjo sipas tyre ka sjellë rezultate të mira në operacionet e kryera nga ajri dhe nga toka.

Ky reagim i ambasadores vjen pasi në Shqipëri ka ardhur një ekip amerikan që ka ndihmuar forcat shqiptare në situatën e zjarreve.

“Që prej mbërritjes në Shqipëri për të ndihmuar me përpjekjet e koordinimit dhe përgjigjes ndaj zjarreve në vend, ekipi ynë amerikan i ekspertëve nga Byroja për Ndihmë Humanitare e USAID, kanë ndihmuar forcat e Mbrojtjes Civile dhe Ndihmës Humanitare të Bashkimit Europian dhe ato shqiptare. Sot, zjarrfikësja e Shërbimit Pyjor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Renee Jack, u takua me pilotë holandezë dhe shqiptarë në Bazën Ajrore Ushtarake të Rinasit në Tiranë, për të diskutuar qasjen e tyre strategjike ndaj përgjigjes për zjarret. Përpjekjet koordinuese midis partnerëve tanë shqiptarë, amerikanë, çekë dhe holandezë, kanë mundësuar që ekipet të luftojnë zjarret në mënyrë më efikase. Ekipi ynë i ekspertëve ka ofruar gjithashtu trajnime mbi sigurinë dhe menaxhimin e rrezikut për operacionet e helikopterëve, manovrat e zjarrit në terren, taktikat e helikopterëve për zjarrin në terren, si dhe menaxhimin e komunikimin. Vendet tona vazhdojnë të jenë të bashkuara në përpjekjet dhe bashkëpunimin tonë gjatë kësaj kohe të vështirë për Shqipërinë”, thuhet në një njoftim të ambasadës./tvklan.al