Presidencë-Parlament-KED, merita për funksionalitetin e gjykatës para 31 Dhjetorit

Ambasadorja Yuri Kim ka reaguar menjëherë pas emërimit të Sonila Bejtjes si anëtare e 7 e Gjykatës Kushtetuese. Ambasadorja thotë se arritja e kuorumit të gjykatës + 1 anëtar u arrit falë punës së përbashkët Presidencë-Parlament-KED.

Kim u shpreh se puna nuk duhet të ndalet, por duhet të vazhdojë edhe vitin e adhshëm që të plotësohen të 9 vendet e “Kushtetueses”.

“Faleminderit Presidentit Ilir Meta për dekretimin këtë mbrëmje të gjyqtares së 7 të Gjykatës Kushtetuese. Duke vepruar së bashku me urgjencë në përgjigje direkte të opinionit të Komisionit të Venecias, kushteve të BE-së dhe kërkesës së popullit shqiptar Presidenca, Parlamenti dhe KED kanë sjellë GJK funksionale para 31 Dhjetorit. Presidenti, Parlamenti dhe KED kanë merita për arritjen e kuorumit+1, por nuk mund të ketë pushim derisa të mbushen të 9 vendet. Puna duhet të vazhdojë vitin e ardhshëm. Ne nxisim kandidatët e kualifikuar që t’i përgjigjen thirrjes në mënyrë që populli shqiptar të ketë drejtësi të vërtetë siç i përshtatet aleatëve të NATO-s dhe aspiruesve në BE”, tha Kim.

Sonila Bejtja u emërua mbrëmjen e kësaj të hëne gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti Ilir Meta. /tvklan.al