Ambasadorja amerikane merr pjesë në aktivitetin për dhurimin e pajisjeve në doganën e Kakavijës

Ambasadorja e SHBA në Shqipëri i dërgoi një mesazh agjencive ligjzbatuese në vend që të tregohen të zgjuar dhe të pamëshirshëm përballë trafikimit të paligjshëm dhe formave të tjera të krimit.

Nga pika kufitare e Kakavijës, diplomatja amerikane tha se se kufijtë e sigurtë nuk janë të rëndësishëm vetëm për Shqipërinë dhe fqinjët e saj por për sigurinë globale në tërësi, përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Trafikimi i armëve të shkatërrimit në masë, tregtitë e paligjshme të narkotikëve, terrorizmi dhe krimi i organizuar ndërkombëtar i lidh diçka e përbashkët: ato drejtohen nga elementë kriminalë që janë të zgjuar dhe të pamëshirshëm. Ndaj, për këtë arsye ne duhet të jemi pak më të zgjuar dhe paksa më të pamëshirshëm”.

Kim theksoi gjithashtu se SHBA mbetet palë në angazhimin për zbatimin e ligjit në Shqipëri.

Angazhimi i vendosur i qeverisë së SHBA për forcimin e lizgjbatimit në Shqipëri është i palëkundur dhe dhurimi i pajisjeve të teknologjisë më të fundit nga ne që këta burra dhe gra përdorin çdo ditë, janë dëshmi e përkushtimit tonë për të forcuar kapacitetin e Shqipërisë në luftën kundër trafikimit të paligjshëm dhe krimit ndërkufitar”.

Ambasadorja amerikane mori pjesë në aktivitetin për dhurimin e disa pajisjeve për Policinë e Shtetit në kuadër të Programit të Kontrollit të Eksporteve dhe Sigurisë së Kufirit. Këto pajisje do të ndihmojnë në zbulimin e prezencës së lëndëve narkotike dhe evidentimin e paligjshmërisë në pikën kufitare të Kakavijës.

Klan News