15 Marsi është dita kur Shqipëria dhe SHBA-të rivendosën edhe njëherë marrëdhëniet e tyre diplomatike pas komunizmit. Për të festuar këtë ditë të shënuar, që këtë vit shënon 30-vjetorin, u realizua në ambientet e Ministrisë së Jashtme një ceremoni.Pjesë e saj ishte edhe ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim.

Ajo u shpreh se e ka për nder që ndodhet për detyrë diplomatike në vendin tonë, ndërsa theksoi se gjatë viteve të fundit populli i SHBA-së i ka ofruar vendit tonë mbi 1.1 miliardë ndihma. E kjo ndihmë do të vazhdojë sipas Kim, pasi SHBA-ja do të qëndrojë përkrah Shqipërisë edhe në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Kim u shpreh mirënjohëse edhe për rolin e Shqipërisë në NATO dhe OSBE, gjatë kryesimit që pati vitin e kaluar. Ambasadorja amerikane deklaroi se SHBA-ja pret me kënaqësi dhe interes që Shqipëria të marrë më shumë përgjegjësi në rajon dhe botë.

“Misioni i USAID kanë mbështetur reforma të rëndësishme politike dhe ekonomike në Shqipëri dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në Shqipëri. Sot Shqipëri është në prag të anëtarësimit në BE dhe sërish Shtetet e Bashkuara janë krenare që t’ju mbështesin ndërsa bëni përpjekje për këto ndryshime historike. Nuk ka qenë e lehtë, por e nevojshme dhe ju keni bërë punën e madhe. Anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të lehtësojë rritjen e stabilitetit rajonal dhe lidhshmërinë politike e ekonomike në Europë. Angazhimi ynë i përbashkët për sigurinë mishërohet brenda partneritetit në NATO. I jemi mirënjohës Shqipërisë në rolin e saj. Presim me kënaqësi të qëndrojmë me ju gjithmonë krah për krah për 30 vitet e ardhshme dhe më tej. Shqipëria ka bërë përpjekje në forume të tjera. Udhëheqja e Shqipërisë në kryesimin e OSBE përmes sfidave të pashembullta të pandemisë të Covid-19 është dëshmi e kontributit që Shqipëria mund të japë në skenën botërore. SHBA-të presin me kënaqësi dhe interes që Shqipëria që të marrë më shumë përgjegjësi në rajon dhe në botë. Nuk kam dyshim që sëbashku Shqipëria dhe SHBA, dy popujt do të vazhdojmë të përparojmë drejt vizionit tonë të përbashkët duke rritur marrëdhëniet tona dypalëshe. Pres me kënaqësi ato që mund të arrijmë sëbashku në 30 vitet e ardhshme”, u shpreh ambasadorja. /tvklan.al