Vazhdoni të ecni përpara

Në një konferencë për mediat, ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim e ka vënë theksin tek përparimet që Shqipëria ka bërë në fushën e drejtësisë.

Gjatë fjalës së saj, ambasadorja Kim është shprehur se reforma në drejtësi i ka dhënë mundësi vendit që të hapte negociatat për anëtarësim në BE, teksa ka shtuar se kjo reformë po jep rezultate.

Ambasadorja e SHBA, Kim mes të tjerash ka bërë thirrje që Shqipëria të ecë përpara deri në arritjen e qëllimit të uljes në tryezën evropiane.

Ndër të tjera, ambasadorja Kim ka përmenduar disa nga përparimet e bëra gjatë kryerjes së detyrës së saj si ambasadore e SHBA në Shqipëri.

Yuri Kim: Gjatë 3 vitesh e gjysmë kam pasur privilegjin që të isha si një ambasadore e re për të forcuar lidhjen e veçantë mes Shqipërisë dhe SHBA. Unë jam shumë mirënjohëse që kam pasur këtë mundësi dhe të njoh Shqipërinë, të vizitoj të 61 bashkitë e saj dhe të përpiqem të jap kontributin tim në demokraci dhe biznes.

Shqipëria ka ndërmarrë reforma të vështira, sidomos në drejtësi që i dha vendit tuaj mundësinë që të hapte negociatat për anëtarësim në BE. E kam thënë shpesh se reforma në drejtësi po jep rezultate. Mos ndaloni, vazhdoni të ecni përpara dhe hap pas hap derisa të arrini qëllimin tuaj. SHBA do të jenë me ju në çdo hap të rrugës. Ne nuk do të lëkundemi kurrë në aspiratat e popullit shqiptar për të zënë vendin që i takon në tryezën evropiane. 

Bashkëpunimi ynë në fushën e mbrojtjes ka arritur nivele të reja. Në vitin 2021, Shqipëria ishte organizatore e Defender 2021, stërvitja më e madhe ushtarake që nuk ishte mbajtur kurrë më parë. Shqipëria ndërtoi mbi suksesin e asaj veprimtarie për të mirëpritur “Defender 2023”. Aktivitetet amerikane-shqiptare në fushën e mbrojtjes janë 3-fishuar.

Sulmet kibernetike të Iranit që filluan në 2022, treguan kërcënime të reja më të cilat duhet të përballemi së bashku. SHBA i ka akorduar 50 milionë Dollarë Shqipërisë për të forcuar sigurinë kibernetike, kjo është paketa më e mëdha që kemi dhënë për këtë fushë ndonjë vendi, përveç Ukrainës. Lidhjet e biznesit po rriten mes 2 vendeve tona. Ka ende vend për përparim, por përparimi po ndodh. Në Tetor nënshkruam memorandiumin e bashkëpunimit. Këto investime do t’i mundësojnë Shqipërisë që të bëhet një qendër për shpërndarjen e energjisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në Qershor 2022 nënshkruam memorandiumin e bashkëpunimit për telekomunikacionin./tvklan.al