Ambasadorja reagon për urdhërarrestet e SPAK

Për urdhërarrestet e lëshuara nga SPAK për Dosjen 339 ka reaguar edhe ambasadorja amerikane Juri Kim. Në një postim në Twitter, ajo shprehet se puna e Prokurorisë së Posaçme mbi këtë dosje, ka nisur të zbulojë lidhjet midis krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kim thotë se reforma në drejtësi po ecën përpara dhe nuk mund të ndalet.

“Puna e Prokurorisë së Posaçme në çështjen 339 nis të zbulojë lidhjet midis krimit të organizuar dhe korrupsionit. Reforma në drejtësi vazhdon të ecë përpara dhe nuk mund të ndalet. Edhe një gur!”, shkruan ambasadorja Kim

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lëshoi 22 urdhërarreste për dosjen e famshme 339. Përgjimet e një grupi të përfshirë në trafikun e drogës, zbuluan përfshirjen e tij edhe në manipulim në zgjedhjet e vitit 2017 në qarkun e Durrësit.

21 komisionerë në 3 qendra votimi në fshatrat Shetël dhe Rubjek kanë lejuar votimin në emër të 62 emigrantëve ose personave të tjerë. Komisionerët janë propozime të gjitha forcave politike. I ndaluar është edhe një votues që ka votuar disa herë. /tvklan.al