Basha: Bëjmë gjithçka për të zgjidhur problemin e zgjedhjeve

Në krah të Lulzim Bashës, ambasadorja amerikane Juri Kim kërkoi përmbylljen e reformës zgjedhore brenda 31 Majit. Kjo çështje, sikundër zonja Kim konfirmoi ishte në fokus të takimit që zgjati për afro 45 minuta me kreun e opozitës, me të cilin tha se kishte diskutuar për të ardhmen dhe jo për të shkuarën.

“Diskutimi ynë ishte i vendosur për të ardhmen dhe jo për të shkuarën. Veçanërisht folëm për rëndësinë se si udhëheqësit shqiptarë duhet të përmbushin pritshmëritë e popullit shqiptar, sikurse e kanë premtuar, për të përfunduar Reformën Zgjedhore deri më 31 Maj. Ky nuk është një afat kohor që e ka vendosur Ambasada e Shteteve të Bashkuara ose ndonjë faktor tjetër i jashtëm. Ky është një afat kohor që e kanë caktuar mbi veten e tyre vetë udhëheqësit.”

Garancinë për përmbylljen e reformës brenda muajit, Ambasadorja Kim e mori edhe nga kreu i opozitës.

“Do të bëjmë gjithçka që brenda 31 Majit, një afat që ne ia kemi kërkuar dhe ia kemi vendosur kësaj maxhorance, reforma të ketë përfunduar dhe natyrisht, të bëjmë gjithçka që të garantojmë vullnetin politik për ta zbatuar ligjin, që është dhe problemi numër një me zgjedhjet në Shqipëri.”

Vizita e ambasadores amerikane në selinë blu vjen pas deklaratave të bëra ditët e fundit nga zonja Kim, e cila i bëri thirrje politikanëve shqiptarë të ndalin pazaret me Reformën Zgjedhore dhe atë në Drejtësi.

Përpara takimit me kreun e opozitës, Ambasada publikoi një mesazh, në të cilin thotë se Shtetet e Bashkuara mbeten vendosmërisht të përkushtuara ndaj Reformës në Drejtësi, që është kërkesë e popullit shqiptar. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur, por është e nevojshme, vijon mesazhi i Ambasadës Amerikane, proces që po ecën e duhet të vazhdojë, në mënyrë që Shqipëria të bëhet anëtare e plotë e familjes europiane.

Tv Klan