Klosi: Zona shumë e bukur, po a do të jemi ne të aftë si shtet që ta mbrojmë

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi së bashku me ambasadoren amerikane Yuri Kim kanë vizituar lagunën e Kune Vainit në Lezhë teksa kanë bërë apel të fortë për qytetarët që të ruajnë dhe të mbajnë pastër mjedisin.

Klosi kërkoi nga të gjithë që të mbrojnë zonën e Kune Vainit, pasi me përmirësimin e infrastrukturës do të fillojë mbipopullimi i saj dhe rritet rreziku i ndotjes.

“Flora dhe fauna është shumë e pasur dhe duhet të jemi krenarë për këtë pjesë të bukur të Shqipërisë siç është Laguna e Kune Vainit. Kemi shumë vlera unikale për të paraqitur. Në Shqipëri ligjet janë të mira, por a do të jemi të aftë që ta mbrojmë këtë zonë, tashmë që është afër aksesit do të mbipopullohet”.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim tha se SHBA ka dhënë ndihma 1.8 milionë Dollarë për të ndihmuar në zhvillimin e turizmit.

“Mbrojtja e mjedisit fillon me pastrimin e tij. Jam e kënaqur që nuk jemi përgjegjës vetëm për mbeturinat por edhe për pastrimin e mbeturinave të të tjerëve. Kur mbledh mbeturinat që krijoj është përgjegjshmëri. Por nëse mbledh mbeturinat e të tjerëve pasi dua zgjidhje të problemit është akt inteligjence, zgjuarsi por edhe zgjidhje të tij. SHBA kanë dhënë ndihma rreth 1.8 milionë Dollarë që kanë ndihmuar industrinë e turizmit, veçanërisht për mjedisin. SHBA janë me ju”.

Zona e Kune Vainit në Lezhë është një nga atraksionet më të bukura në vend, që frekuentohet kryesisht gjatë sezonit të verës.

Tv Klan