“Të gjithë të njohin rezultatin, akuzat të hetohen”

Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës 25 Prilli ishte një proces i rregullt elektoral. Rikonfirmimi erdhi nga ambasadorja Yuri Kim, e cila ishte e ftuar në studion  e emisionit “Opinion”.

“Siç e patë në deklaratën që nxorëm nga Uashingtoni, përgëzuam popullin shqiptar për zgjedhje të mira, uruam Kryeministrin Rama për fitoren. Po ashtu, uruam edhe partinë e opozitës për zhvillimin e një fushate shumë të forte. Prandaj mendoj që në tërësi, jemi të kënaqur me mënyrën si u zhvilluan zgjedhjet”.

Por teksa teksa Lulzim Basha është shprehur se nuk do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve, ambasadorja Kim thotë se 59 deputetët e opozitës me nisjen e sesionit të Vjeshtës do të zënë vendet e tyre në Parlament.

“Është me rëndësi që të gjitha partitë të njohin rezultatet e zgjedhjeve, dhe për sa është e mundur, që partitë tani të mendojnë se si t’i shërbejnë popullit shqiptar. Jemi shumë të kënaqur të shohim deklaratat e tyre ku bëjnë të qartë se kur të vijë Shtatori, do të kthehen në Parlament”.

Ambasadorja amerikane ftoi prokurorët e SPAK që t’i shohin me seriozitet ankimimet e depozituara nga opozita për blerje të votave.

“Ata duhet t’i marrin këto seriozisht dhe t’i hetojnë të gjitha këto raste dhe tani janë 37 çështje duke u hetuar në mënyrë aktive. I presim rezultatet e këtyre”.

Të kërkesë adresoi edhe ndaj KAS-it, pas kërkesës së Partisë Demokratike për ripërsëritjen e zgjedhjeve në 9 qarqe.

“KQZ duhet të hetojë dhe të marrë disa vendime. Dhe, mendoj se kushdo ka të drejtën të paraqesë ankimime tek prokurorët dhe tek KQZ, nëse kanë prova për këtë”.

Largimin e Tom Doshit e sheh jo vetëm si presion të deklaratave të SHBA-së, por edhe opinionit publik, teksa thotë se në këto zgjedhje sërisht në lista pat persona me rekorde kriminale.

“Mendoj se listat e kandidatëve këtë vit, në përgjithësi, ishin më të mira se vitet e kaluara, disa nga kriminelët më të dukshëm nuk u vendosën në listë ose u hoqën para se listat të bëheshin përfundimtare. Nga ana tjetër, ka persona të tjerë që përbëjnë shqetësim, që u futën në lista, për arsye të ndryshme që për mua mbeten mister. Por di që udhëheqësit e partive kanë një përgjegjësi për të qenë të vërtetë dhe seriozë lidhur me largimin e kriminelëve dhe moslejimin e kriminelëve që të përfaqësojnë partitë e tyre dhe që të ulen në parlament”.

Ambasadorja Kim refuzon të komentojë ftesat publikë për bashkëpunim të bëra nga Kryeministri Rama në adresë të Bashës.

“Mendoj se është diçka që duhet ta diskutojnë vetë partitë mes tyre dhe të vendosin”.

Poshtë hedh deklaratat e Presidentit Meta se ka ndërhyrë në punët e brendshme të Shqipërisë.

“Mendoj se ka të drejtën të ketë mendimet e tij, por edhe një herë, unë mund vetëm të bëj punën time, e cila është të shpreh pikëpamjet dhe të sqaroj pozicionin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara”.

E për të treguar se nuk ndërhyn aspak në punët  brendshme refuzon të komentojë mbi komisionin hetimor për shkakrimin e kreut të shtetit.

“Kjo është një çështje e brendshme dhe nuk kam ndërmend të komentoj çështje të brendshme”.

Ambasadorja Kim tha se është besimplotë për ecurinë e Reformës në Drejtësi, e veçanërisht të punës së SPAK-ut dhe ngritjen e BKH-së.

Tv Klan