Kim: SPAK dhe BKH, prioritet për SHBA-në

Shqipëria dhe SHBA-ja kanë nënshkruar këtë të martë një marrëveshje për ekstradimin. Ky traktat zëvendëson atë të nënshkruar shumë vite më parë në 1933-shin nga Faik Konica.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe ambasadorja amerikane Yuri Kim. Gjonaj tha se traktati sjell instrumente të reja për të luftuar me efikasitet format e reja të kriminalitetit. Si Gjonaj dhe Kim thanë se ky është një sinjal që askush nuk do të gjejë strehë për t’iu shmangur drejtësisë në Shqipëri apo SHBA.  

“Sinjal i qartë dhe i vendosur se askush nuk do të gjejë asnjë strehë për t’iu shmangur ligjit penal në SHBA apo në Shqipëri”, tha Gjonaj.

“Nuk do të ketë asnjë strehë të sigurtë në Shqipëri apo SHBA për të arratisurit që përpiqen t’i shpëtojnë drejtësisë”, tha Kim.

Gjonaj falënderoi ambasadoren për mbështetjen që ka demonstruar që prej fillimit të reformës në Drejtësi.

 “Ka shumë për të bërë, por pengesat e hasura deri këtu nuk duhet të zbehin rezultatet e rëndësishme të arritura këto tre vite nga miratimi i reformës në drejtësi”, tha Gjonaj.

Marrëveshjen e re të nënshkruar, Kim e quajt nder dhe tha se është dëshmia më e fundit e rritjes së partneritetit mes dy vendeve. Traktati i ri për ekstradimet sipas Kim jep një kornizë moderne që u mundëson dy vendeve të përballen me sfidat e krimit ndërkombëtar. Ajo u shpreh se SHBA-ja do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në reformën në drejtësi dhe tha se SPAK e Byroja Kombëtare e Hetimit janë prioritet për ta.

“BKH dhe SPAK është një prioritet për ambasadën e SHBA-së. Ky është një proces në rrugë e sipër dhe një parakusht për arritjen e rezultateve të dukshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.Suksesi i SPAK-ut nuk është vetëm çka shtetet e Bashkuara presin është ajo që qytetarë shqiptarë duan, kanë nevojë dhe meritojnë”, tha Kim.

Ambasadorja amerikane tha se sa më efikase të jetë Shqipëria në ndjekjen penale të krimit ndërkombëtar aq më e gatshme do të jetë për t’u bërë anëtare me të drejta të plota në familjen europiane.

“Partneriteti jonë është jetëgjatë,mMiqësia jonë është e qëndrueshme dhe kemi shumë punë për të bërë përpara”, tha në fund ajo. /tvklan.al