Kina ka ngritur akuza ndaj Uashingtonit për abuzim me tarifat, duke shtuar retorikën në një luftë tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë.

Pekini do të kundërshtojë me vendosmëri çdo palë që arrin një marrëveshje në kurriz të Kinës dhe “do të marrë kundërmasa në mënyrë të vendosur dhe reciproke”, tha Ministria e Tregtisë në një deklaratë.

Vendimi vjen pas një raporti të “Bloomberg”, që citon burime të njohura me këtë çështje se administrata Trump po përgatitet të ushtrojë presion ndaj kombeve që kërkojnë ulje të tarifave ose përjashtime për të frenuar tregtinë me Kinën, duke përfshirë vendosjen e sanksioneve.

Presidenti Donald Trump ndaloi tarifat gjithëpërfshirëse që ai njoftoi për dhjetëra vende më 2 Prill, përveç atyre të Kinës . Në një seri lëvizjesh, Uashingtoni ka rritur tarifat për importet kineze në 145%, duke bërë që Pekini të hakmerret me një tarifë 125% për mallrat amerikane, duke vendosur efektivisht embargo tregtare kundër njëri-tjetrit. Javën e kaluar, Kina sinjalizoi se tarifat e saj të përgjithshme nuk do të rriteshin më tej.

“Shtetet e Bashkuara kanë abuzuar me tarifat për të gjithë partnerët tregtarë, duke i detyruar gjithashtu të gjitha palët të fillojnë negociatat e ashtuquajtura ‘tarifa reciproke’ me ta”, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Kinës.

Duke ndjekur një qëndrim të ashpër, Pekini këtë javë do të thërrasë një takim jozyrtar të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të akuzuar Uashingtonin për abuzim mbi përpjekjet globale për paqe dhe zhvillim. Në fillim të këtij muaji, përfaqësuesi i tregtisë i SHBA-së Jamieson Greer tha se afro 50 vende i janë drejtuar atij për të diskutuar mbi tarifat e larta shtesë të vendosura nga Trump.

Që atëherë janë zhvilluar disa bisedime dypalëshe mbi tarifat, me Japoninë që konsideron rritjen e importeve të sojës dhe orizit si pjesë e bisedimeve të saj me SHBA-në, ndërsa Indonezia po planifikon të rrisë importet e ushqimeve dhe mallrave të SHBA-së dhe të reduktojë porositë nga kombet e tjera.

Politikat tarifore të Trump kanë tronditur tregjet financiare pasi investitorët kanë frikë se një ndërprerje të gjerë në tregtinë botërore mund ta çojë ekonominë globale në recesion. Tregjet aziatike kanë pësuar rritje megjithëse investitorët në përgjithësi po tregohen mjaft vigjilentë ndaj aktiviteteve kineze.

Klan News