Ekuipazhi ankorohet me sukses në më pak se 7 orë pas nisjes

Tre astronautë kinezë u nisën të enjten drejt stacionit të ri hapësinor të Kinës. Astronautët, Nie Haisheng, Liu Boming dhe Tang Hongbo do të kalojnë tre muaj në bordin e modulit Tianhe rreth 380 km larg Tokës.

Ata do të kryejnë eksperimente, për të testuar pajisje dhe për t’u përgatitur terrenin që stacionit t’i bashkohen edhe dy module tjera vitin e ardhshëm.

Sonda kozmike është nisur nga kozmodromi i Jiuquan-it që ndodhet në pjesën veriperëndimore të Kinës. Sonda Shenzhou-12 u ngrit në hapësirë me anë të raketës Marshimi i Gjatë 2F. Ekuipazhi u ankorua me sukses në stacionin hapësinor në më pak se shtatë orë pas nisjes.

Astronauti më i vjetër i këtij misioni është 56-vjeçari Nie Haisheng. Ai tha se bashkë me kolegët e tij do të duhet të organizojnë “shtëpinë” brenda modulit Tianhe, që është pak më i madh se një autobus.

“Detyra është shumë e madhe dhe ka plot sfida. Kolegët e mi dhe unë do të bashkëpunojmë dhe do të punojmë me kujdes për të tejkaluar të gjitha vështirësitë”, u tha Nie gazetarëve pak para nisjes.

Në gjashtë muajt e kaluar, Kina ka kthyer në Tokë mostra shkëmbinjsh nga sipërfaqja e Hënës dhe ka ulur një robot me gjashtë rrota në planetin Mars.

Nisja e këtij misioni në hapësirë është krenari për Kinën, teksa Pekini përgatitet për të shënuar 100-vjetorin e themelimit të Partisë Komuniste më 1 Korrik.

Kina nuk është pjesëmarrëse e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, një bashkëpunim në mes të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Europian, Rusisë, Japonisë dhe agjencive të tjera. Ky stacion është lëshuar në hapësirë në vitin 1998 dhe pritet të mbyllet brenda disa vjetësh.

Rusia ka njoftuar më herët gjatë këtij muaji do të heqë dorë nga projekti në vitin 2025.

Klan News